Basketbollisti me rrënjë nga Kosova mund të jetë i pari në draftin e NBA-s

Prishtinë | 01 Pri 2020 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Basketbollisti me origjinë nga Kosova, Deni Avdija pritet të jetë i zgjedhuri i parë në draftin e NBA-s këtë verë, njofton “The Jewish Chronicle”, transmeton Koha.net.

Avdija 19-vjeçar është i biri i Zufer Avdijës, kapitenit të Crvena Zvezdës të viteve 1980-ta. Zufer Avdija, që është nga komuniteti goran nga Kosova, luajti në Izrael në vitet 1990-ta ku edhe jeton tash. Ai lindi në Prishtinë, ndërsa nisi karrierën aty. Ka luajtur gjatë për ish-Jugosllavinë.

Deni Avdija ka debutuar me skuadrën e parë të Maccabi Tel Aviv në moshën 16-vjeçare. Kulmi i karrierës së tij ishte kur e udhëhoqi Izraelin si kapiten drejt titullit të Evropës për U-20 në korrik të vitit të kaluar. Mësohet se vëzhguesit e klubit të NBA-së, Cleveland Cavaliers ishin në Tel Aviv muajin e kaluar për të përcjellë Deni Avdijën.

Avdija shënoi 21 pikë në triumfin e Izraelit ndaj Rumanisë me rezultatin 87:63, në eliminatore për Kampionat Evropia. Clevelandi po insiston për transferimin e tij.

“Unë nuk ndjehem nën presion që shihem si shpresë e madhe e basketbollit izraelit. Më bën të lumtur që ka pritje kaq të mëdha. Unë po punoj fortë që të përmirësohem”, ka thënë Avdija, që është lindur në Izrael. Ai është fundor dhe është i gjatë 205 centimetra.

Ish-basketbollisti i Minnesota Timberwolves, Derrick Williams, është në mesin e atyre që e shohin Avdijën si zgjedhje të parë në draft. “Deni ka gjatësi dhe ndjenjë të mirë për lojën. Ka lojtarë të talentuar në gjithë botën, por ajo që e dallon Denin është besimi i tij dhe inteligjenca për lojën”, ka thënë Williams. Në ligën NBA po shkëlqen basketbollisti me shtetësi sllovene Luka Donçiq, që luan te Dallas Mavericks. Familja e Donçiqit po ashtu është nga Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme