Basketbollisti udhëtar i Ponte Prizrenit

Prishtinë | 10 Nën 2019 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Për çdo ditë Mendrit Ademi bën nga 170 kilometra rrugë. Vushtrri – Prishtinë, Prishtinë – Prizren dhe anasjelltas është relacioni i Ademit, basketbollistit të Ponte Prizreni.

Pos rrugës së gjatë që bën, Ademi gjithashtu duhet edhe të stërvitet. Tri orë stërvitje i bën në palestrën e Vushtrrisë me trajner personal, kurse dy orë të tjera në palestrën e Prizrenit me ekipin, përpara se t’i përkushtohet edhe për një orë tjetër fitnesit, shkruan sot “Koha Ditore”. E gjithë kjo lodhje nga udhëtimi dhe stërvitjet harrohet në momentin kur Ademi futet në parket për të dhënë më të mirën për ekipin e tij.

Në ndeshjen e fundit, në kuadër të Superligës së Kosovës, 19-vjeçari pati paraqitje të jashtëzakonshme. Për 20 minuta lojë ndaj Rahovecit, ai realizoi hiç më pak se 19 pikë, por të cilat nuk e ndihmuan Ponte Prizrenin të shmangë humbjen. Ademi insiston se në çdo ndeshje, pavarësisht epilogut të saj, mundohet të japë më të mirën nga vetja. Edhe te Ponte Prizreni janë të kënaqur me basketbollistin e talentuar, të cilit po i parashikohet një e ardhme e ndritur në këtë sport.

“Prej Vushtrrisë deri në Prishtinë udhëtoj me furgona privat, kurse prej Prishtinës deri në Prizren udhën e bëj me bashkëlojtarin Urim Zenelaj. E njëjta mënyrë është edhe gjatë kthimit. Unë stërvit në Vushtrri dhe Prizren. Në Prizren me ekipin, kurse në Vushtrri kam angazhuar trajnerët Arianit Morina e Arsim Berisha që kujdesen të mbaj formën”, shprehet Ademi që jeton në Vushtrri. “Nuk e kam aspak problem lodhjen, pasi tashmë jam mësuar me këtë. Po bëhet gati një vit që e përdor këtë relacion. Në fakt, ndihem krenar për shkak se kjo është vetëm për të mirën time”.

Këtë edicion Ademi është stabilizuar dhe në tetë ndeshje që i ka zhvilluar Ponte Prizreni deri më tash, ku ka regjistruar katër fitore dhe po aq humbje, basketbollisti vushtrrias luajti me mesatare prej 9.4 pikëve për rreth 20 minuta lojë në ndeshje.

Të ngjashme