Bastoni premton besnikëri: Ëndrra ime është të fitoj me Interin

Prishtinë | 16 Pri 2021 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

Alessandro Bastoni ka qenë i lidhur me një transferim te Manchester City, por mbrojtësi i Interit këmbëngul se ai është i lumtur me Nerazzurrët.

Bastoni u bashkua me Interin në një marrëveshje prej 30 milionë eurosh nga Atalanta në vitin 2017 dhe luajti një sezon në huazim te Parma para se të kthehej në klub në vitin 2018.

Manchester City thuhet se është i interesuar ta nënshkruajë atë, por Interi së shpejti do t’i ofrojë atij një kontratë të re për të zgjatur qëndrimin e tij në klub përtej vitit 2023.

Edhe vet lojtari e ka gjetur veten te Nerazzurrët dhe dëshiron të mbetet në Giuseppe Meazza.

“Nuk isha i sigurt kur u bashkova me Interin”, ka thënë fillimisht Bastoni për Sportmediaset.

“Por, trajneri më ka besuar menjëherë dhe unë kam qenë në gjendje të shfrytëzoj sa më shumë shanset që ai më dha. Unë gjithashtu jam përmirësuar falë shokëve të mi të skuadrës”.

“Ndihem mirë këtu dhe ëndrra ime është të fitoj me Interin. Synimi ynë kryesor është t’u japim kënaqësi tifozëve tanë”, përfundoi italiani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme