Batroviq jep detaje nga koha e artë te Prishtina

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 21:21 | Nga Ekonomia Online

Zoran Batroviq është prej futbollistë të huaj më të suksesshëm në histori të klubit Prishtina. Malazezi Batroviq ka luajtur për Prishtinën prej vitit 1983 deri në vitin 1987, në kohën më të artë të klubit të madh kosovar.

Ka luajtur gjatë me legjendën e futbollit kosovar, të ndjerin Fadil Vokrri. Batroviq 62-vjeçar karrierë ka bërë edhe te Partizani i Beogradit dhe te Deportivo La Coruna. Por te Prishtina është shquar me efikasitet.

Në një intervistë për Anadolu Agency, Batroviq ka dhënë detaje nga koha te Prishtina, por edhe për raportet me Fadil Vokrrin, mikun e tij.

Ai ka treguar për një episod me trajnerin e mirënjohur të Prishtinës, Fuad Muzuroviq.

“E kam çmuar shumë si njeri dhe si ekspert. Mbaj mend aventurën me Vokrrin, një natë para ndeshjes me Olimpijan. Fuadi u kthye vonë në hotelin ‘Grand’, diku rreth orës 3 pas mesnatës. Me të hyrë në holl, recepsionisti me shikim i ka treguar që të lëshohet poshtë në ‘bar’. Fuadi zbriti dhe u përball me një skenë qesharake – Fadili dhe unë flinim në tavolinë. Hapu tokë dhe më përpijë. Këtë e kam menduar. Më ka ardhur shumë turp. Ai na zgjoi dhe na është drejtuar me tonin më normal të mundshëm: ‘ djelmosha, a dëshironi t’iu sjell diçka për mëngjes’”, ka kujtuar Batroviq.

Të nesërmen Olimpija ka udhëhequr 1:0, ndërsa Batroviq ka shikuar Muzuroviqin.

“Më ka brejtur ndërgjegjja. Pse të humbasim për shkak të sjelljes sonë të keqe. Kam qenë i gatshëm të vdes në terren vetëm që të kompensohem dhe të arsyetohem para këtij njeriu. Dhe ndodhi në fund të ndeshjes. Unë barazoj, Vokrri shënon golin e fitores. Nuk mund të përshkruaj sa isha i lumtur. Ajo është prej fitoreve më të rëndësishme në karrierë”, ka thënë Batroviq.

Ai ka folur edhe për kohën kur trajner i Prishtinës ishte kroati legjendar, Miroslav Blazheviq, i njohur me nofkën Çiro.

“Erdhi Çiro Blazheviq, drejt nga Zvicra. Dihet sa vlente Çiro në atë kohë në futbollin jugosllaven. Sidomos pas titullit me Dinamon. Motivues i jashtëzakonshëm. Ka shpërndarë karafila për publikun para ndeshjes, ka dhuruar orë me fotografi të Titos, e ka sjellë Tereza Kesovijan për të goditur topin e parë… Tifozët e kanë dashur më shumë se mua dhe Vokrrin”, ka treguar Batroviq.

Të ngjashme