Bayerni i gatshëm ta tregojë forcën përballë Sevillas

Prishtinë | 24 Sht 2020 | 08:58 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Bayern Munchenit, Hansi Flick, ka minimizuar rrezikun e përhapjes së koronavirusit në ndeshjen e Superkupës së Evropës kundër Sevillas, pavarësisht se kjo ngjarje do të zhvillohet në Budapest, qytet i caktuar si zonë e rrezikshme nga pandemia. Madje, në konferencën për shtyp, Flick ka përgëzuar UEFA-n që ka dhënë lejen që ndeshja të zhvillohet me praninë e një numri të caktuar shikuesish. Flick ka paralajmëruar se Bayerni synon ta fitojë edhe Superkupën e Evropës pas “tripletës” në edicionin e fundit.

“Në fund të fundit, unë jetoj në Muenchen, qytet që është një pikë e nxehtë e koronavirusit”, tha Flick duke iu referuar numrit të infeksioneve të reja në qytetin bavarez. “Ne kemi ardhur në Budapest për të luajtur futboll dhe jo për të shpërndarë virusin. Ne kemi një qëllim në këtë ndeshje, të fitojmë Superkupën e Evropës”.

Fituesi i Ligës së Kampionëve, Bayerni, do të përballet me fituesen e Ligës së Evropës, Sevillan, sonte (21:00) në stadiumin “Puskas Arena” të Budapestit, që ka një kapacitet prej 67 mijë ulësesh. Mirëpo në këtë ndeshje janë lejuar vetëm 20 mijë sish në tribuna.

Kjo ndeshje ka marrë një dimension politik që kur Qeveria gjermane e shpalli kryeqytetin e Hungarisë një zonë rreziku të koronavirusit. Si rezultat i kësaj, qindra tifozë të Bayernit kanë kthyer biletat me klubin gjerman që ka parashikuar se “më pak se një mijë” do të jenë në lojë. Ndërkohë, Sevilla pret përkrahjen e 500 tifozëve që kanë udhëtuar nga Spanja drejt Budapestit.

Të ngjashme