Bayerni shkon në Katar për ta përmbyllur edicionin përrallor

Prishtinë | 08 Jan 2021 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Një përshkrim i thjeshtë i sezonit 2019/20 të Bayern Munichut, mund të kufizohet me fjalët: rekorde, rekorde dhe më shumë rekorde. Bavarezët vendosën një pikë referimi përgjatë edicionit të 56-të të Bundesligës dhe e kurorëzuan sezonin me një arritje historike, duke fituar “tripletën” e përbërë nga trofetë e Bundesligës, Kupës së Gjermanisë dhe Ligës së Kampionëve.

Kjo ishte vetëm hera e dytë në histori të Bayernit pasi bavarezët një arritje të tillë e bën në vitin 2013. Mirëpo, Bayerni nuk u ndal me kaq në edicionin e fundit pasi ia shtoi koleksionit të trofeve edhe dy të tjerë. Arriti të triumfojë në Superkupën e Gjermanisë dhe atë të Evropës.

Këtë sukses të pesëfishtë Bayerni po synon ta shndërrojë në sukses të gjashtëfishtë. Në fillim të shkurtit, Bayerni do të udhëtojë në Katar për të marrë pjesë në Botërorin e klubeve dhe me sukses në këtë garë të FIFA-s, Bayerni do të përmbyllte një edicion të pabesueshëm.

“Ne kemi punuar shumë dhe të gjitha këto suksese janë fryt i punës sonë që e kemi bërë. Kështu që do të ishte fantastike të dalim të parët edhe muajin tjetër në Katar”, është shprehur trajneri i Bayernit, Hansi Flick.

Rrugëtimi i Bayernit mori kthesë në mënyrë dramatike kur drejtuesit e klubit e emëruan Hansi Flickun si trajner të ekipit. Para kësaj, Flick 55-vjeçar ka qenë ndihmës i Niko Kovaqit, i cili u shkarkua pas humbjes së thellë të Bayernit (5:1) nga Eintracht Frankfurti në fillim të muajit nëntor të vitit 2019. Shtatë muaj pasi Flick mori frenat, Bayerni fitoi titullin e kampionit për herën e tetë rresht, të cilin e siguroi dy xhiro para fundit. Flicku e ka udhëhequr skuadrën e tij drejt fitores në 88 për qind të ndeshjeve të Bundesligës që nga emërimi i tij (21 nga 24), duke i dhënë atij bilancin më të mirë fitues të çdo trajneri në historinë e ligës. Robert Lewandowski shënoi 34 gola për të përfunduar si golashënuesi më i mirë i Bundesligës për të pestën herë në shtatë sezonet e fundit. Gerd Muelleri është i vetmi lojtar tjetër që ka fituar çmimin e golashënuesit më të mirë në të paktën pesë raste, duke e arritur shtatë herë.

Pas titullit, erdhi triumfi në Kupën e Gjermanisë. Në finale, Bayerni e mposhti Bayer Leverkusenin (4:2) në fillim të korrikut të vitit të shkuar për ta ngritur trofeun për herën e 20-të. Pasoi suksesi në Evropë, saktësisht Ligën e Kampionëve. Skuadra e trajnerit Flick kishte një bilanc të përsosur në Evropë në sezonin 2019/20, duke fituar të gjitha 11 ndeshjet dhe duke shënuar 43 gola karshi tetë të pësuarve – një arritje e paparë në historinë e Ligës së Kampionëve. Turneu final në Lisbonë ishte në të vërtetë një paradë triumfi për Bayernin, i cili poshtëroi Barcelonën (8:2) në çerekfinale përpara se të triumfonte në finale ndaj Paris Saint-Germainit me rezultatin minimal, 1:0. Kingsley Coman u bë i njohur te Bayerni me nofkën “Mr. Lisbon” pasi francezi shënoi golin e fitores në finale, me kokë, pas harkimit të Joshua Kimmichut, më 23 gusht të vitit të shkuar.

“Sukseset e fundit janë një arritje e jashtëzakonshme dhe do të ishte fantastike nëse pesë trofeve të fituar ia shtojmë edhe atë të botërorit të klubeve”, shtoi Coman.

Me suksesin në Champions, u mbyll edhe sezoni 2019/20. Pas një pushimi të shkurtër veror, Bayerni u kthye me stil dhe sezonin e ri e nisi me fitore në ndeshjen e parë zyrtare. Mposhti nënkampionin në fuqi të Bundesligës, Borussia Dortmundin (3:2) për ta fituar për herën e tetë Superkupën e Gjermanisë. Nuk shkoi shumë kohë dhe bavarezët e rrëmbyen edhe trofeun e dytë, atë të Superkupës së Evropës pas fitores 2:1 ndaj Sevillas, ekip që kishte triumfuar në Ligën e Evropës.

“Dëshira ime ishte të shpallem trajneri më i mirë i vitit, por më gëzon fakti që lojtarët e ekipit tim dolën më të mirët në kategoritë e tyre”, shtoi Flicku.

Në të vërtetë, Bayerni dominoi edhe në çmimet e ndara nga FIFA për më të mirët e vitit 2020. Sulmuesi Lewandowski u shpall lojtari më i mirë derisa epiteti i portierit më të mirë të vitit i takoi Manuel Neuerit. Trajneri Flick ishte në mesin e tre më të mirëve, por në fund çmimin e fitoi Juergen Kloppi. Katër lojtarë të Bayernit u përfshinë në 11-shen më të mirë të vitit.

Tani, fokusi i Bayernit do të jetë në Doha, ku prej datës 1 deri më 11 shkurt do të mbahet Botërori i klubeve. Te Bayerni po synojnë ta fitojnë këtë trofe, të cilin e fituan në vitin 2013 për herën e fundit. Që nga viti 2000, kur nisi të mbahet ky turne, skuadrat nga Evropa kanë triumfuar 12 herë, kurse katër herë suksesin e kanë shijuar ekipet nga Amerika e Jugut. Finalja e këtij edicioni të botërorit të klubeve do të mbahet në “Education City Stadium” të Dohas. Çiftet do të përcaktohen më 19 janar, kur do të tërhiqet shorti në Zuerich, në selinë e FIFA-s. Krahas Bayernit, në këtë turne do të paraqiten edhe skuadrat si Ulsan Hyundai FC (Koreja e Jugut), Al Ahly SC (Egjipt), Tigres UANL (Meksikë), Auckland City FC (Zelandë e Re) e Al Duhail SC (Katar). Ndërkohë, përfaqësuesi nga Amerika e Jugut do të përcaktohet më 31 janar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme