Behar Maliqi kthehet në Prishtinë pas shtatë viteve

Prishtinë | 10 Gus 2020 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Pas shtatë viteve në FC Prishtina sot është kthyer ish kapiteni i kësaj skuadre, Behar Maliqi.

Maliqi kishte filluar karrierën në Prishtinë qysh në moshë të re ku ishte paraqitur për këtë skuadër në vitin 2008.

Ai ngjyrat e Prishtinës i kishte mbrojtur deri në vitin 2013 për t’u transferuar në ekipin e Fushë Kosovës.

Maliqi mandej i kishte mbrojtur edhe ngjyrat e KEK’ut, KF Partizanit të Tiranës, KF Feronikelit.

Gjatë sezonit të kaluar ai kishte luajtur për KF Llapi.

“Prishtina nuk e pati fare të vështirë të bind ish-kapitenin e saj, edhe pse tani 33 vjeç, shumë i duhur për skuadrën, Behar Maliqi. Mentaliteti i tij i çeliktë, vullneti i madh, motivimi sportiv – të gjitha këto cilësi të Beharit i duhen tani skuadrës sonë. Maliqi, me Prishtinën ka qenë i angazhuar për pesë edicione me bardhekaltrit, 2008-2013, 104 paraqitje zyrtare, 11 gola dhe tre tituj kampioni, dy kupa dhe tre superkupa”, ka shkruar në faqen zyrtare FC Prishtina.

“Është kënaqësi e madhe për mua të kthehem në klubin ku jam formuar si lojtar. Falënderoj udhëheqjen e klubit dhe trajnerët për besimin që kanë te unë. Shpresoj që vit të jetë i Prishtinës dhe t’i arrijmë qëllimet që i kemi”, ka thënë Maliqi gjatë prezantimit zyrtar në klubin e tij.

Kujtojmë se Prishtina më 20 gusht do të luajë kundër skuadrës se Gjibraltarit, Lincoln Red Imps në kuadër të ndeshjeve preliminare të Europa Ligë.

Në rast të kualifikimit, skuadra më e trofeshme në Kosovë do të luajë kundër skuadrës nga Luksemburgu në rrethin e parë eliminator, Union Titus Petange.

Të ngjashme