Behrami beson se ende është lojtar i nivelit të lartë

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori kosovar Valon Behrami ka treguar arsyen pse pranoi ofertën e skuadrës së Genoas për t’u kthyer në kampionatin elitar të Italisë, Serie A.

Ai ka thënë se kthimin në Serie A e ka bërë për të vërtetuar se ende është lojtar i nivelit të lartë dhe se një gjë të tillë t’ia dëshmojë trajnerit Davide Nicola. 35-vjeçari u largua nga Sioni për t’iu bashkuar Genoas si lojtar i lirë në janarin e këtij viti.

“Kthimi në Genoa ishte një mundësi e madhe pas gjashtë muajve të vështirë të kaluar. Me gjithë ndershmërinë, kam dashur të dëshmoj se nuk jam i përfunduar si lojtar”, ka thënë Behrami për televizionin e Genoas, “Genoa Channel”.

Ai ka shtuar se pret të ketë edhe besimin e bashkëlojtarëve si në fushë ashtu edhe jashtë saj.

“Dua që shokët e mi të skuadrës të më besojnë dhe të përdorin përvojën time për t’i zgjidhur situatat e vështira. Unë nuk po flas vetëm në fushë, por edhe jashtë saj”, është shprehur Behrami.

Behrami u transferua në janar te Genoa, derisa karrierë te Genoa ka bërë edhe në vitin 2004. Ai në Itali ka luajtur edhe te Verona, Lazio, Fiorentina, Napoli dhe Udinese. Në Zvicër, krahas Sionit, ishte edhe pjesë e Luganos. Gjithashtu, ka bërë karrierë edhe në Angli te West ham United dhe Watfordi, derisa në Gjermani te Hamburgu. Me Genoan ka kontratë deri në fund të këtij edicioni.

“Para se të pranoja ofertën e Genoas jam takuar me trajnerin Nicola. Ai më ka treguar për mendimet e tij, e po ashtu edhe unë të miat për të. Në atë moment ne kuptuam se jemi në të njëjtën vijë, pra bëhet fjalë për njerëz të ndershëm. Kjo është e rëndësishme në futboll”, është shprehur Behrami.

Për Genoan, Behrami që nga janari i këtij viti deri para pezullimit të kampionatit italian shkaku i koronavirusit, i ka luajtur shtatë ndeshje. Behrami i vlerëson me notë pozitive ndeshjet e luajtura deri tash.

“Ishte një periudhë e mirë për mua deri në momentin kur u detyruam të pushonim shkaku i pandemisë. Por unë arrita ta zbuloj te vetja ime dashurinë për kopshtin. Unë do të mundohem që ta jap maksimumin tim edhe gjatë kësaj periudhe, kur futbolli është rikthyer në normalitet”, ka deklaruar Behrami.

Behrami karrierë të madhe ka bërë edhe me Përfaqësuesen e Zvicrës, ku ka marrë pjesë edhe në kampionate botërore dhe evropiane. Por vitin e kaluar u pensionua.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme