Bellamy largohet nga posti i trajnerit për t’u hetuar për ngacmimin e lojtarit

Prishtinë | 03 Jan 2019 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Craig Bellamy përkohësisht ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit të grupmoshave U-18 te Cardiff City derisa klubi po heton akuzat për ngacmime dhe sjellje ksenofobie që ka bërë ai ndaj një lojtari.

Prindërit e një lojtari të akademisë janë ankuar se Bellamy e ka ngacmuar djalin e tyre, duke detyruar ata që ta largojnë nga klubi shkaku i shqetësimeve për gjendjen e tij.

Bellamy ka bërë të ditur se do të dorëhiqet për t’ia mundësuar klubit që të hetojë akuzat që janë bërë ndaj tij.

“Jam në dijeni për akuzat që janë bërë ndaj meje përmes mediave. E kuptoj nevojën e Cardiff Cityt që të kryejë hetimet ndaj këtyre akuzave – me sugjerimin tim – unë përkohësisht jam larguar nga posti i trajnerit”, ka thënë Bellamy në një komunikatë për media.

Ish-lojtari i akademisë së Cardiffit, Alfie Madden ishte larguar nga klubi me këshill të prindërve shkaku i këtyre akuzave.

Prindërit kishin thënë se gjatë një takimi, Bellamy kishte fyer dhe kishte bërtitur. Në këtë takim ata kishin vendosur që djali i tyre të largohej pasi nuk donin që të përballej me një sjellje të tillë çdo ditë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme