Bellerin e do vetëm Interin, e kërkon largimin nga Arsenali

Prishtinë | 13 Kor 2021 | 10:20 | Nga Ekonomia Online

Hector Bellerin është i përzgjedhuri i Interit për të zëvendësuar Achraf Hakimin në krahun e djathtë të mesfushës dhe vetë futbollisti spanjoll duket gjithashtu i bindur për t’u transferuar në Milano e për t’u vënë nën urdhrat e Simone Inzaghit.

Lajmin e bën të ditur Sky-Sport, që raporton se futbollisti 26-vjeçar ka takuar drejtuesit e Arsenalit dhe u ka kërkuar largimin gjatë merkatos së verës, me destinacion Milanon, teksa tani mbetet që dy klubet të gjejnë gjuhën e përbashkët për shifrat dhe formulën e transferimit.

Arsenali synon një shitje të menjëhershme të kartonit kundrejt 25 milionë eurove dhe është gati të ulet deri në 20 milionë euro, ndërsa te Interi këmbëngulin për një huazim me të drejtë blerjeje për 22 milionë euro.

Në ditët e ardhshme pritet që mes drejtuesve të dy klubeve të ketë një tjetër takim, por gjasat janë që marrëveshja të arrihet shumë shpejt, duke pasur parasysh se edhe vetë futbollisti dëshiron një transferim në Milano.

Të ngjashme