Benjamini i Bayernit stërvitet në Mitrovicë

Prishtinë | 27 Dhj 2019 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Kalonte mes koneve me shpejtësi, duke i ndryshuar ritmin e drejtimin. Vraponte shpejt deri te një shenjë tjetër dhe kthehej me fytyrë nga porta, edhe më shpejt. Me kërcim të lartë kapërcente pengesën dhe më pas godiste topin fuqishëm në drejtim të portës.

Ishte ky një nga shumë ushtrimet që Benjamin Dibrani bëri të enjten paradite në fushën me bari sintetik në bregun e lumit Ibër. Atë fushë, të ndërtuar gjatë këtij viti, kryesisht e shfrytëzojnë të rinjtë e shkollës së futbollit të Trepçës ’89, klubit mitrovicas që garon në Superligën e Kosovës.

Dibrani 15-vjeçar nuk është pjesë e shkollës së klubit mitrovicas. Është pjesë e Akademisë së një klubi shumë më të famshëm, Bayernit të Mynihut, gjigantit gjerman, shkruan sot Koha Ditore.

15-vjeçari po kalon pushimet e dimrit në Mitrovicë, qytetin prej nga e ka prejardhjen. Por për një të ri me ëndrra për karrierë të madhe në futboll nuk ka pushim as gjatë pushimeve. Edhe më pak për një anëtar të Akademisë së Bayernit. Për të dalë në pah në mesin e shumë të talentuarve që i mban Bayerni, duhet punë e vazhdueshme. Punë shtesë, edhe gjatë pushimeve.

Ka vite që babai i Benjamint merret vesh me trajnerin Seid Onbashi për të stërvitur dy djemtë e tij gjatë pushimeve që familja Dibrani bënë rregullisht në Kosovë. Kjo familje në Kosovë qëndron çdo verë e çdo dimër.

“Nuk e di nëse në të ardhmen do të mund të vij rregullisht. Kampet me skuadrën tashmë janë më të shumta e koha më e limituar”, ka thënë Benjamin Dibrani pas stërvitjes që zgjati afërsisht një orë e gjysmë.

Trajneri Onbashi i drejtohet me Beni. Lojtari i ri i Bayernit e shikon me vëmendje trajnerin mitrovicas, derisa ai ia shpjegon ushtrimet. Nuk bën pyetje. Nuk vë në dyshim urdhrat e tij. Bën me kokë në shenjë pohimi dhe ia nis punës. Ushtrimet kryesisht janë të natyrës teknike, por kanë të bëjnë edhe me kondicionin. Vrapime të ndryshme u përfshinë në seancën stërvitore të së enjtes.

Benjamini i Bayernit planifikon të qëndrojë në Mitrovicë deri në ditët e para të janarit dhe deri atëherë do ta vizitojë rregullisht fushën me bari sintetik, që i ka dhënë hijeshi e gjallëri luginës së lumit Ibër.

Nga ora 10:00 në fushë ishin vetëm lojtari i Bayernit dhe trajneri i KFF Mitrovica dhe i juniorëve të Trepçës ’89, Onbashi. Jashtë rrethojës qëndronte babai i lojtarit, që përcjell karrierën e Benjaminit në çdo hap.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme