Benzema: Çfarë gëzimi që u ktheva, po mundohem të përshtatem me Mbappen e Griezmannin

Prishtinë | 03 Qer 2021 | 09:33 | Nga Ekonomia Online

Karim Benzema e ka shprehur gëzimin e tij pas rikthimit në Kombëtaren e Francës. Sulmuesi i Real Madridit luajti në fitoren e kampionit aktual të botës ndaj Uellsit, ku ndër të tjera e humbi një penallti.

Karim Benzema u rikthye mbrëmë në Kombëtaren e Francës pas plot gjashtë vjetësh. Sulmuesi i rrezikshëm nuk mundi ta festonte golin në ndeshjen e parë pas rikthimit. Mirëpo, ai iu gëzua rikthimit dhe fitores ndaj Uellsit në miqësoren para fillimit të Kampionatit Evropian. Madje, ai e humbi një penallti. Sidoqoftë, ky fakt nuk ia ndali gëzimin.

“Kisha ndjenja të shkëlqyeshme. E kisha një javë të mirë duke punuar, fizikisht po përmirësohem. Ishte një sezon i vështirë me shumë ndeshje, por jam ndier mirë gjatë tërë lojës”, ka thënë ish-sulmuesi i Lyonit për televizionin francez “TF1”. Benzema foli edhe për “treshen” në sulm që e formoi me Kylian Mbappen e Antoine Griezmann.

Ai shpreson që shpejt ta gjejë harmoninë me këtë dy super sulmues, për ta ndihmuar Francën që të shpallet kampione e Evropës. “Kemi ushtruar shumë, mbi të gjitha për të luajtur kundër skuadrave që luajnë me mbrojtje në thellësi. E bëmë një lojë të shkëlqyeshme dhe kemi provuar, kjo është gjëja më e rëndësishme. në ndeshje si kjo, e rëndësishme është të krijosh raste dhe të fitosh, përkundër faktit se nuk shënova”, vazhdoi 33 vjeçari.

“Unë kisha aq shumë krenari, gëzim, dua të luaj, ta demonstroj se sa vlej. Kjo është ajo që e kam bërë në fushë. Po mundohem të përshtatem dhe ta gjej harmoninë në sulm me Mbappen e Griezmannin”, përfundoi Benzema, i cili disa vite më parë ishte përjashtuar nga Kombëtarja e Francës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme