Berisha: Nëse Shqipëria dhe Kosova do të kishin një ekip, do të na kishte frikë e gjithë Evropa

Prishtinë | 10 Nën 2020 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha, ishte në krah të trajnerit Edy Reja në konferencën për shtyp në prag të vëllazërores me Kosovën, që do të luhet të mërkurën pasdite në “Elbasan Arena” dhe që do të shërbejë si test për dy ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve.

“Meqë është miqësore apo vëllazërore, do të jetë takim i qetë. Po të kishim luajtur për kualifikim, që besoj do ndodhë, për ne do të ishte e vështirë, sepse e di që është vendi im Kosova si dhe Shqipëria”.

“Kam shkuar këtu me bindjen t’i përfaqësoj të gjithë shqiptarët dhe ishalla bëhet një ekip kombëtar. Po të bëheshim një ekip, do të na kishte frikë e gjithë Evropa. Jemi në një moment të vështirë, duhet ta luajmë këtë ndeshje si vëllazërore”.

(Foto: Instagram/etritberishaofficial)

“Nuk kam prej askujt frikë. Kosova luan shumë mirë, ka individë që duan të luajnë shumë me topin, nuk duhet të përqendrohemi vetëm te një lojtar, por te shumë individë”, citon SuperSport fjalët e Berishës.

“Me siguri është situatë njësoj për të gjithë. Jemi të përgatitur për këtë ndeshje. Me gjithë mungesat, të gjithë që kanë ardhur janë të vetëdijshëm. Është më mirë kur i gjithë ekipi jep maksimumin. Fitoret janë detyrim për ne”.

“Atmosfera është gjithmonë e mirë. Kemi një kohë të gjatë bashkë, kemi filluar përgatitjet. Është i gjithë ekipi këtu. Me siguri, ajo me Kosovën do të jetë një ndeshje e mirë , është dhe pak e vështirë sepse kemi dy ndeshje të rëndësishme. Fokusi jonë do të jetë në ato dy ndeshje”, ka shtuar gardiani kuqezi.

Të ngjashme