Besimi në lojtarët e akademisë i është shpaguar Benficas

Prishtinë | 20 Maj 2019 | 11:07 | Nga Ekonomia Online

Një grup i lojtarëve të rinj dhe ambiciozë, që kanë dalë nga akademia e famshme e Benficas, Seixal, që gjendet në jug të Lisbonës, ka ndihmuar të sigurohet titulli i Primeira Ligas të Portugalisë të shtunën, një sukses që është festuar nga tifozët nëpër vend.

Trajneri i Benficas, Bruno Lage, në janar të këtij viti vendosi të tregojë besim duke u dhënë rast të rinjve të Seixalit, duke i ngritur ata në skuadrën e parë, shkruan sot Koha Ditore.

“Ishte kyç që të kemi lojtarë të rinj në skuadrën e parë”, ka thënë Lage, pas fitores 4:1 që Benfica e shënoi ndaj Santa Claras të shtunën duke siguruar titullin e kampionit. “Është me rëndësi që lojtarët e tjerë të rinj nga Seixal të besojnë se është e mundur të arrihet në skuadrën e parë në të ardhmen. Është një arritje e madhe për ne dhe veçanërisht për tifozët që kanë përkrahur këtë grup të lojtarëve të rinj me të madhe”.

Çelësi për suksesin e Lages ishte zbulimi i potencialit të 19-vjeçarit Joao Felix, që ka stërvitur në akademinë e të rinjve, por atij iu dha një rol në skuadër, duke e aktivizuar prapa sulmuesit kryesor Haris Seferoviq. Së bashku kanë shënuar 38 gola dhe kanë kontribuar me 12 asistime.

Benfica, po ashtu, ka formuar qendërmbrojtësin 21-vjeçar dhe reprezentuesin e Portugalisë, Ruben Dias, që është zhvilluar në lojtar kyç të skuadrës nga Lisbona dhe ka luajtur 60 ndeshje këtë stinor.

Të ngjashme