Bie tmerrësisht vlera e Muriqit dhe Rashicës, por lulëzon ajo e Rrahmanit

Prishtinë | 30 Dhj 2021 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Derisa Amir Rrahmanit kishte një vit për ta mbajtur në mend më 2021, dukshëm më të mirin në karrierën e tij, Vedat Muriqi dhe Milot Rashica nuk mund të mburren shumë për 12 muajt e fundit.

Amir Rrahmani është tani lojtari më i vlefshëm i Kosovës me çmim prej 22 milionë euro në tregun e transferimeve, sipas Transfermarkt, uebsajtit gjerman për caktimin e vlerës së futbollistëve në treg, raporton Gazeta Express.

Kapiteni dhe mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës iu bashkua Napolit nga Hellas Verona për 14 milionë euro në vitin 2020, dhe që prej atëherë, vlera e tij është rritur për tetë milionë euro.

Paraqitjet e tij mbresëlënëse gjatë pjesës së parë të sezonit 2021/22 në Serie A, duke i ndihmuar Napolit të futet në garë për titull në Serie A që nga fillimi i kampionatit, kanë luajtur rol kryesor në rritjen e vlerës së tij.

Rrahmani ia zuri vendin e titullarit Kotas Manolasit pas tri javëve të para të sezonit të ri në Serie A dhe e bëri atë të kthehet në Greqi, duke e krijuar një partneritet të mrekullueshëm me senegalezin Kalidou Koulibaly. Në tetë ndeshjet e para me Rrahmanin titullar, skuadra e Lucioano Spalletit e kishte pranuar vetëm një gol në ligë dhe kosovari kishte kontribuar me dy gola në anën tjetër.

Në përgjithësi, Rrahmani i bëri 17 paraqitje për Napolin në të gjitha garat gjatë pjesës së parë të këtij sezoni.

Ai u zgjodh Lojtari më i Mirë i Vitit 2021 i Kosovës nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Milot Rashica

Megjithëse Rashica u largua nga Werder Bremen në verë, një klub që e nisi sezonin e ri në kategorinë e dytë të futbollit gjerman, për t’iu bashkuar Norwich Cityt në Premierligë – vlera e tij në treg ka rënë në 8 milionë euro.

25-vjeçari iu bashkua Norwichit nga Werderi në një marrëveshje prej 11 milionë eurove në korrik.

Nëse e krahasojmë vlerën e tij më të madhe në treg, 35 milionë euro në dhjetor 2019, me vlerën e tanishme, atëherë vlera e tij ka rënë tmerrësisht; për 28 milionë euro, pavarësisht se mund të argumentohet se kosovari ka shënuar përparim në karrierë duke kaluar nga Bundesliga në Premierligë.

Ai hasi në vështirësi për t’u përshtatur me futbollin në Premierligë në fillim dhe ende është në kërkim të golit të parë në futbollin anglez.

Ai i ka bërë 13 paraqitje në ligë për Norwichin deri tani por e pësoi lëndim muskulor tamam kur fitoi ta gjente formën e vet më të mirë.

Në katër ndeshjet e fundit para lëndimit, Rashica ishte titulluar për skuadrën e Dean Smith dhe kontribuoi me një asist. Ai pritet të rikthehet në fillim të janarit.

Vedat Muriqi

Njëlloj si bashkëlojtarit të tij te Kosova, edhe Muriqit i ka rënë vlera në treg dhe ai kushton edhe më lirë se Rashica, vetëm 6 milionë euro nga 29 dhjetori 2021.

Sulmuesi prizrenas i kushtoi Lazios 19 milionë euro kur u ble nga Fenerbahce në shtator 2020 dhe vetëm një muaj më vonë vlera e tij në treg ra në 17 milionë euro.

Një vit më vonë dhe vlera e 27-vjeçarit pësoi rënie edhe më të madhe, prej 11 milionë eurove.

Rënia e tij e madhe është e kuptueshme kur merret parasysh fakti se Muriqi i ka luajtur vetëm 206 minuta futboll në Serie A në këtë pjesë të parë të sezonit 2021/22, duke e dhënë një asist por asnjë gol.

Trajneri Maurizio Sarri ia ka dhënë atij vetëm një mundësi të luajë si titullar në ligë deri tani, ndërsa e ka përdorur 10 herë si zëvendësues të vonshëm. 27-vjeçari i bëri edhe tri paraqitje si zëvendësues në Ligën e Evropës dhe është ende në kërkim të golit të parë sezonal.

Sarri madje ka parapëlqyer të luajë me 9 fals edhe kur i ka munguar sulmuesi kryesor, Ciro Immobile, para se të luajë me kosovarin, të vetmin që mund ta zëvendësojë kokë më kokë italian në skuadrën e tij.

Por Muriqi tregoi formë të mirë me Kosovën në kualifikime për Kupën e Botës 2022, duke i shënuar tri gola në tetë ndeshje gjatë këtij viti.

Besohet se Muriqi do të largohet nga kryeqyteti italian në verën e ardhshme nëse jo në janar, me dy gjigantët turq Fenerbahce dhe Galatasaray që kanë shprehur interesim për të.

Të ngjashme