Boateng: Nga titullar në lojtar të zhdukur në radarin e Valverdes

Prishtinë | 20 Shk 2019 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Që nga transferimi gjatë afatit kalimtar të janarit, Kevin-Prince Boateng ka kaluar nëpër një periudhë mjaft interesante në Barcelonë, pasi që ai nuk ka luajtur pothuajse fare që kur debutoi kundër Sevillës.

31-vjeçari ishte titullar për ndeshjen e tij të parë, në po atë ditë kur ishte kompletuar huazimi i tij në Camp Nou, mirëpo pastaj mungoi në ndeshjet kundër Gironas, Valencias, Real Madridi dhe Athletic Bilbaos.

Skripti ndryshoi edhe një herë në ndeshjen kundër Real Valladolidit, fundjavën e kaluar, pasi që ai ishte titullar dhe luajti për 60 minuta. Megjithatë, paraqitja e tij nuk ishte mbresëlënëse pasi që ai nuk kuptohej me bashkëlojtarët e tij.

Tri ditë më vonë, për ndeshjen e mbrëmshme kundër Lyonit, në Ligën e Kampionëve, Boatengu udhëtoi me skuadrën e Barcelonës, por u detyrua ta shikojë ndeshjen nga tribunat e stadiumin, pasi që Ernesto Valverde nuk e përfshiu atë në skuadrën prej 18 lojtarëve.

Muaji i parë i ganezit me Barcelona nuk ka qenë aspak i lehtë, pasi që ai ka pasur probleme si në fushën e futbollit, ashtu edhe jashtë saj. Hajdutët kishin hyrë në shtëpinë e tij gjatë kohës sa ai ishte duke luajtur kundër Valladolidit.

Boateng e dinte se ai nuk do të ishte titullar për Barcelonën, kur u transferua nga Sassuolo, mirëpo ai priste të luajë më shumë sesa që është duke luajtur tani. Tani, ai synon t’i bëjë përshtypje Valverdes në seanca stërvitore dhe ta dëshmojë se ai ka çfarë t’i ofrojë skuadrës së tij, qoftë kjo edhe nga banka rezervë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme