Bonucci tregon se çfarë shkoi keq për Ronaldon në Juventus

Prishtinë | 29 Sht 2021 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonucci, ka thënë se lojtarët e Juventusit mendonin se vetëm prania e Cristiano Ronaldos në fushë për ta do të mjaftonte për t’i fituar ndeshjet.

Ronaldo e la Juventusin pa tri vjetësh këtë verë dhe iu ribashkua Manchester Unitedit, pasi i fitoi dy tituj në Serie A dhe një Kupë të Italisë, raporton Gazeta Express.

Superylli portugez u soll në Torino në vitin 2018 si një lojtar i denjë për t’ia fituar bardhezinjve Ligën e Kampionëve.

Por tre trajnerë dhe tri sezone me vonë, 36-vjeçari u largua pa i përmbushur pritshmëritë, megjithëse i shënoi 101 gola në 134 paraqitje për Juventusin.

 “Ideja se një lojtar i vetëm, qoftë ai më i miri në botë, mund t’i siguronte fitore Juventusit, ishte çështje. Ronaldo kishte nevojë për ekipin aq sa ne kishim nevojë për të. Dukej të kishte shkëmbim, sepse është ekipi ai që e ngre lart individin, edhe pse individi është më i miri në planet”, tha Bonucci.

“Prania e Cristianos kishte një ndikim të madh te ne. Vetëm të ushtronim me të na dha diçka shtesë, por pavetëdijshëm lojtarët filluan të mendojnë se vetëm prania e tij ishte e mjaftueshëm për fitimin e ndeshjeve”, tregoi ai.

Ai shtoi: “Ne filluam të punojmë më pak çdo ditë, filloi të mungonte çdo ditë përulësia, flijimi dhe gatishmëria për të qenë pranë bashkëlojtarit. Mendoj se keni mundur ta vëreni këtë në vitet e fundit.”

Të ngjashme