Bottas fiton në Japoni, Mercedesi siguron titullin e konstruktorëve

Prishtinë | 14 Tet 2019 | 10:57 | Nga Ekonomia Online

Valtteri Bottas ka triumfuar të dielën në garën e Shpërblimit të Madh të Japonisë në Formula 1, ndërsa skuderia e Mercedesit e ka siguruar titullin e gjashtë rresht të konstruktorëve. Po ashtu është siguruar që për herë të gjashtë rresht një pilot i Mercedesit të fitojë edhe titullin individual.

Finlandezi Bottas ka mbyllur garën 11.3 sekonda para gjermanit të Ferrarit, Sebastian Vettel. I treti doli lideri, britaniku i Mercedesit, Lewis Hamilton.

Me rezultatet e së dielës, Mercedesi ka thelluar epërsinë në 177 pikë ndaj Ferrarit në renditje të konstruktorëve, duke siguruar titullin e gjashtë rresht, pasi deri në fund maksimalisht mund të merren 176 pikë nga katër garat e mbetura.

Po ashtu është siguruar që njëri nga dy pilotët e Mercedesit të fitojë titullin, pasi kampioni i pesëfishtë Hamilton është duke kryesuar renditjen me 64 pikë ndaj Bottasit. Vetëm këta të dy janë në garë.

Mercedesi ka barazuar rekordin e Ferrarit prej gjashtë titujve rresht të konstruktorëve, të cilët skuderia italiane i kishte fituar nga viti 1999 deri më 2004, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Skuderia italiane atëbotë fitoi edhe pesë tituj individual me Michael Schumacherin, nga viti 2000 deri më 2004.

“Të fillosh i treti në një garë kurrë nuk është e lehtë, por nuk ka arsye të dorëzohesh”, ka thënë Bottas, pasi ka shënuar fitoren e tretë të stinorit dhe të parën që nga gara në Azerbajxhan në prill. “Unë pata një garë mjaft të mirë. Jam shumë krenar për skuderinë, titulli i gjashtë rresht është aq impresiv”.

Ferrari dukej sikur do të shtynte festimet e Mercedesit, pasi pilotët e Ferrarit kishin zënë dy vendet e para në kualifikime që u mbajtën të dielën në mëngjes, pasi kualifikimet e së shtunës u shtynë për shkak të tajfunit Hagibis.

Por, Vettel dhe Charles Leclerc hasën në telashe qysh në nismë. Vettel nisi pak më herët para se të frenonte. Ai u hetua për start të gabuar, por shpëtoi pa dënim pasi vetura e tij nuk kishte kaluar vijën.

Por, ai hezitim momental ishte i mjaftueshëm për të lejuar Bottasin që të tejkalonte atë dhe të merrte epërsinë.

Leclerc u përplas me holandezin Max Verstappen, ndërsa holandezi tentoi të kalonte anash, duke dëmtuar Ferrarin dhe duke shtyrë pilotin e Red Bullit, që më vonë u dorëzua.

Leclerc 21-vjeçar vazhdoi garën dhe përfundoi në vend të gjashtë, por pas garës ra në vend të shtatë prapa Daniel Ricciardos të Renaultit, pasi mori dy dënime pas garës.

Ai mori dënim pesë sekonda për incidentin me Verstappenin dhe dhjetë sekonda të tjera pasi vazhdoi të voziste bolidin ndonëse ishte në kushte jo të sigurta.

Ferrari po ashtu është gjobitur me 25 mijë euro për një shkelje të mëvonshme.

“Dritat ishin të fikura, por ishte gabimi im në fillim. Mercedesi ishte i vështirë, kishte më tepër temp dhe Valtteri po fluturonte. Unë nuk jam i lumtur me startin, na mungoi pak ritmi”, ka thënë Vettel.

Gëzimi i Hamiltonit për suksesin e Mercedesit ishte më i heshtur pasi skuderia rrezikoi me një strategji me një pit-stop, ndonëse Bottas dhe Vettel vendosën me dy pit-stopë.

Por, pasi që dëmet e gomave u bënë më të mëdha sesa që pritej, Hamilton 34-vjeçar u desh të futej në pit-stop për herë të dytë dhe humbi hapin me Vettelin.

“Së pari urime skuadrës”, ka thënë Hamilton, që mund të sigurojë titullin e kampionit qysh në garën e radhës në Meksikë. “Kjo është me rëndësi. Unë thjesht dua të mbledh pikë të mira për skuadrën”. Gara zyrtarisht përfundoi në rrethin e 52-të ndonëse ishte paraparë të mbahen 53 rrathë, pasi që flamuri për fundin e garës doli gabimisht një rreth më herët.

Garuesit, që nuk e vërejtën flamurin vazhduan garën, por renditja u caktua sipas fundit të rrethit të 52-të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme