Boukichou, gjiganti me ndikim masiv në suksesin e Prishtinës

Prishtinë | 17 Shk 2019 | 10:54 | Nga Ekonomia Online

Qendrës Khalid Boukichou (206 cm) i është dashur mendimi nga ish-trajneri i tij, Dario Gjergja, për të vendosur se ku do të vazhdonte karrierën këtë edicion.

Fjalët e trajnerit Gjergja, me të cilin kishte punuar te ekipi Oostende dhe Përfaqësuesja e Belgjikës, i kishin mjaftuar Boukichout që të pranonte ofertën e skuadrës Z Mobile Prishtina, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me këtë lëvizje Boukichou, 26-vjeçar, është bërë lojtari i parë i Përfaqësueses së Belgjikës që po luan në Kampionatin e Kosovës, por edhe që po e ndihmon ekipin e tij të ri të shkruajë historinë në garat evropiane – FIBA Europe Cup. Ai insiston se nuk gaboi me zgjedhjen e tij, të cilën e bëri kryesisht falë këshillës së trajnerit Gjergja.

Dario Gjergja është djali i ish-trajnerit të Prishtinës, të mirënjohurit Giuseppe Giergia (Gjergja), që është me prejardhje shqiptare.

“Kisha shumë oferta dhe ish-trajneri im më tha që të shkoja te ekipi që më donte më shumë. Pata ndjenjën se Prishtina ishte ky ekip për të cilin kisha dëgjuar edicionin e shkuar për shkak të paraqitjes në FIBA Europe Cup”, ka thënë Boukichou në një bisedë për gazetën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme