Braathu e quan futbollin kosovar storie të suksesit

Prishtinë | 13 Mar 2019 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, e ka pritur të mërkurën në një takim në selinë e tij ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

Braathu dhe Ademi kanë biseduar për zhvillimet në futbollin kosovar dhe integrimin e pakicave në garat futbollistike, njofton FFK.

 “OSBE është një institucion me të cilin jemi rritur këtu dhe e njohim vetëm për gjëra të mira. Më vjen mirë që OSBE prezantohet me njerëz sikur ju. E njoh kontributin e juaj që nga Rambuje, po ashtu misionin e juaj në Bosnje dhe njëkohësisht në Shqipëri. Jeni një njeri i cili e njeh mjaft mirë Ballkanin dhe mentalitetin e popujve këtu. Ju vini nga një shtet i cili e ka popullin më të lumtur dhe më të shkolluar dhe besoj se mund ta sillni një frymë të tillë edhe tek ne”, ka theksuar presidenti Ademi.

“Federata është për momentin institucioni kryesor që përcjell dozë të kënaqësisë në popull dhe një adrenalinë pozitive. Edhe përbërja jonë si KE është e tillë që i përfshinë të gjithë Kosovën, e po ashtu edhe të gjitha komunitetet që jetojnë këtu dhe secili nga ne e ka nga një sektor që e mbikëqyr.

Tutje presidenti ka thënë se normalisht që ende ka probleme sepse Kosova nuk ka qenë e zhvilluar në aspektin e infrastrukturës, por e ka njoftuar ambasadorin se Qeveria ka investuar në dy stadiumet në Prishtinë dhe Mitrovicë, derisa tani është duke u finalizuar edhe projekti i përbashkët për 12 fusha stërvitore me Ministrinë e Sportit dhe Komunat.

“Po mundohemi të shtrijmë infrastrukturën në të gjitha pjesët e vendit. Po punojmë dhe mendoj se jemi në rrugën e drejtë sepse gjithçka është transparente. Normalisht se ndonjëherë suksesi dikujt edhe i pengon, por ka aty këtu ka ndonjë turbulencë të vogël, por ne e konsiderojmë veten si një anije të sigurt sepse i gjithë ekuipazhi jemi në vendin e duhur. Për fat të mirë pjesa popullore është në anën tonë. I kemi diku 5 mijë tifozë të regjistruar, të cilët në çdo ndeshje po krijojnë atmosferë për lakmi dhe pa më të voglin ekces”, ka nënvizuar presidenti Ademi.

Ndërkaq, nga ana e tij ambasadori Braathu shprehur falënderimin e tij për mikpritje të ngrohtë, derisa u shpreh i kënaqur për të arriturat e Federatës së Futbollit të Kosovës që pas pranimit në UEFA e FIFA.

“Duhet të ndiheni krenarë që puna e juaj e ka bërë krenar një popull të tërë. Rezultatet e arritura nga Kombëtarja juaj janë storie suksesi dhe imazhi më i mirë që keni mundur të përcillni në botë. Falë punës suaj tani të gjithë kanë njohuri për vendin tuaj dhe për popullin tuaj. Me paraqitjet e juaja në ndeshjet e futbollit keni treguar kulturë të lartë sportive dhe jeni treguar popull mikpritës dhe shumë i dashur, për çka ju përgëzoj”, ka theksuar ambasadori Braathu.

Duke folur për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe për integrimin e pakicave, ambasadori ka theksuar se është i vetëdijshëm për pengesat e integrimit të klubeve serbe në garat që organizohen nga FFK si rezultat i presionit të Beogradit, mirëpo ka shprehur shpresën se këto gjëra do të tejkalohen në të ardhmen, ngase futbolli është loja më e popullarizuar në Kosovë dhe është sport i cili i bashkon njerëzit.

Ai ka vlerësuar lartë angazhimin e drejtuesve të FFK-së për t’i integruar të gjitha komunitetet në Kosovë nën ombrellën e saj, derisa e ka vlerësuar si hap të gabueshëm krijimin e një institucioni paralel të futbollit në Mitrovicën e Veriut, duke ritheksuar përkrahjen e plotë për FFK-në.

Ndërkaq sa i përket turbulencave të fundit rreth FFK-së, ambasadori Braathu ka thënë se çdo storie suksesi ngjall ‘xhelozi të vogla’, por që “ju duhet ta vazhdoni punën me përkushtim dhe vendosmëri drejt sukseseve të reja”.

Në fund të takimi, presidenti Ademi ia ka dhuruar ambasadorit Braathu fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe një plaketë me stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa e ka ftuar që të jetë i pranishëm në përkrahje të Kosovës në dy ndeshjet e këtij muaji kundër Danimarkës dhe Bullgarisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme