Brazili, pengesë e madhe për Kosta Rikën

Prishtinë | 22 Qer 2018 | 09:10 | Nga

Brazili është vlerësuar prej favoritëve kryesorë të Kupës së Botës, por e ka nisur turneun në Rusi në mënyrë jobindëse duke barazuar me Zvicrën, megjithëse kaloi në epërsi me golin e bukur të Philippe Coutinhos nga largësia.

Gjithsesi kampioni i pesëfishtë i botës, që merr pjesë në botëror për herë të 21-të rresht, nuk ka pse të brengoset njëherë për kalimin në fazën nokaut. I pamposhtur në 13 ndeshjet e fundit në fazë grupore të botërorëve, Brazili ka dalë i pari në grup në raundin e parë në secilin botëror që nga viti 1982. Së fundi ka dështuar të kalojë fazën e parë në vitin e largët 1966.

Kundërshtarja e Brazilit, Kosta-Rika, po ashtu nuk ka hequr dorë nga kalimi në fazën nokaut për herë të dytë rresht. Por për të bërë këtë, përzgjedhësi Oscar Ramirez duhet të përmirësojë dukshëm skuadrën e tij, sidomos në repartin ofensiv.

Nëse nuk numërohen penalltitë, Kosta-Rika është vetëm njëra prej tri përfaqësueseve që nuk u mposht në Botërorin e vitit 2014, por ka vuajtur para portës rivale, duke shënuar vetëm një herë në katër ndeshjet e fundit në botërorë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme