Braziliani Elkeson bëhet i huaji i parë që do të luajë për Kinën

Prishtinë | 19 Gus 2019 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Braziliani Elkeson do të bëhet futbollisti i parë pa prejardhje kineze që luan për përfaqësuesen e Kinës.

Federata e Futbollit të Kinës e ka regjistruar atë për eliminatoret e Azisë për Botërorin 2022 që nisin muajin e ardhshëm. Edhe Konfederata e Futbollit të Azisë ka njoftuar për përfshirjen e Elkesonit në përfaqësuesen e Kinës, në faqen e saj zyrtare, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Me këtë i është dhënë fund javëve të spekulimeve se 30-vjeçarit i është dhënë shtetësia dhe se ai do të jetë pjesë e përfaqësueses së Marcello Lippit për eliminatoret e radhës.

Autoritetet kineze kanë zbutur rregulloret për t’i mundësuar Lippit që të udhëheqë përfaqësuesen drejt Botërorit 2022 që do të ishte paraqitja e parë që nga viti 2002. Në vitin 2002 Kina bëri paraqitjen e parë dhe të vetme në një Botëror.

Futbollisti i lindur në Angli, Nico Yennaris, që ka nënë kineze, është bërë shtetasi i parë i lindur jashtë Kinës që është ftuar nga përfaqësuesja. Ai u përfshi në skuadrën e Lippit në miqësoren ndaj Filipineve në fillim të qershorit, duke luajtur 55 minuta me emrin Li Ke.

Përfshirja e Elkesonit shënon herën e parë që një lojtar pa prejardhje kineze është përfshirë në përfaqësuese. Deri te përfaqësuesja ai ka arritur pas një karriere të madhe në Superligën e Kinës.

Sulmuesi iu bashkua Guangzhou Evergrandet në vitin 2013 dhe me golat e tij ka ndihmuar klubin të fitojë Ligën e Kampionëve të Azisë në vitin 2013 dhe 2015, si dhe tre tituj rresht të Superligës së Kinës. Ai përfundoi shënuesi më i mirë në ligë në vitet 2013 dhe 2014.

U transferua te Shanghai SIPG para stinorit 2016 dhe ishte pjesë e skuadrës SIPG që fitoi Superligën e Kinës për herë të parë vitin e kaluar, por u kthye te Guangzhou muajin e kaluar për periudhën e dytë në klub.

Përfshirja e Elkesonit do t’i japë Lippit më tepër fuqi në sulm, ndërsa Kina përgatitet të përballet me Sirinë, Filipinet, Maldivet dhe Guamin në Grupin A të rrethit të dytë të turneut eliminator të Azisë për Botërorin 2022 të futbollit.

Kina e nis ciklin me ndeshjen kundër Maldiveve në udhëtim më 10 shtator dhe vetëm fituesit e grupit e kanë të garantuar kalimin në fazën tjetër, ku 12 përfaqësuese do të jenë të ndara në dy grupe, për të përcaktuar katër vendet e garantuara të Azisë për Botërorin 2022. Një përfaqësuese e pestë mund të vijë nëpërmjet barazhit.

Të ngjashme