Brentfordi e Fulhami përballen në duelin që siguron Premier Leaguen

Prishtinë | 04 Gus 2020 | 09:05 | Nga Ekonomia Online

Brentfordi dhe Fulhami do të luajnë ndeshjen për një vend në Premier League, të martën (sot) mbrëma, kur rivalët e Londrës do të përplasen në finalen e plejofit të Championshipit, që ka një vlerë prej 190 milionë eurosh për fituesin. Shpërblimi për promovim në Premier League, do të thotë se përballja në stadiumin “Wembley” lirisht mund të quhet si ndeshja më e pasur në futbollin botëror.

Pas 73 vjetësh jashtë elitës së futbollit anglez, Brentfordi është më afër se kurrë ta realizojë ëndrrën e kamotshme – pjesëmarrjen në Premier League. E ndan vetëm një ndeshje, finalja kundër Fulhamit që zhvillohet prej orës 20:45. Ndryshe prej fqinjëve nga perëndimi i Londrës, Fulhami po shpreson për një rikthim të menjëhershëm në Premier League pas rënies në sezonin 2018/19.

Megjithatë, është rrëfimi i Brentfordit që ka kapluar imagjinatën e të gjithë tifozëve neutralë të Anglisë. Pasi kaloi 59 prej 60 sezoneve në nivelin e tretë dhe të katërt përpara se të arrijë në Championship (niveli i dytë) në vitin 2014, Brentfordi është ngritur shumë falë pronarit Matthew Benham. Benham ka prezantuar një qasje të ndikuar nga analitika e mbikëqyrur nga dy drejtorë të futbollit, duke siguruar që klubi t’i shfrytëzojë më shumë burimet e veta, të cilat janë të vështira në krahasim me skuadrat më të pasura të Championshipit. Por, kjo formulë është dëshmuar e suksesshme pasi Brentfordi zbuloi talente, si Neal Maupay, Ezri Konsa, Chris Mepham dhe Jota para se t’i shiste ata për fitime të konsiderueshme. Ollie Watkins, Said Benrahma dhe Bryan Mbeumo janë yjet e fundit të linjës së prodhimit. Pikërisht, kjo treshe e solli Brentfordin në prag të promovimit automatik muajin e shkuar në Premier League përpara se të vinte seria e humbjeve nga Stoke City e Barnsley, që ndikoi në renditjen përfundimtare. Brentfordi këtë edicion e mbylli i treti.

Një fitore mbresëlënëse 3:1 ndaj Swanseas në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të plejofit pas humbjes 1:0, theksoi cilësinë e Brentfordit të ushqyer nga trajneri danez, Thomas Frank. Filozofia e krijimit të ekipit të Frankut merr frymëzim nga Zelanda e Re, ndërsa loja e tij bazohet në cilësitë individuale të futbollistëve. Kjo strategji është treguar shumë e suksesshme për Brentfordin këtë edicion.

“Shpresoj në një paraqitje dinjitoze ndaj Fulhamit, pasi kjo është ndeshja me e rëndësishme e sezonit dhe të gjithë e kemi parasysh. Mbi të gjitha, pres angazhim maksimal të lojtarëve”, tha Frank.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme