Bushi shumë i lumtur për fitoren ndaj Kosovës, na ndihmoi Zoti

Prishtinë | 15 Tet 2019 | 22:32 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria U-21 ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 ndaj Kosovës U-21, në takimin e vlefshëm për kualifikueset e Evropianit.

Shaqir Tafa dhe Arbnor Muçolli shënuan për Shqipërinë, ndërsa për Kosovën shënoi Blend Baftiu.

Trajneri Alban Bushi është shprehur i lumtur për fitoren e arritur, por ka lënë edhe të hapur mundësinë e kualifikimit, duke e pasur vëmendjen te përballja ndaj Anglisë.

“Fituam një ndeshje shumë të vështirë. Ne jemi një komb. Kjo ndeshje ishte e vështirë sepse kishte emocione para saj. Lojtarët e kanë përjetuar shumë dhe kisha dyshime sesi do të shpreheshin në fushën e lojës. Ndeshja ka gjithmonë emocione dhe gjithçka mund të ndodhte kur ishim 2-1. Ndonjëherë Zoti të ndihmon kur punon shumë”.

“Jam shumë i gëzuar për këtë grup dhe janë pretendent për ekipin A. Shanset për kualifikim janë të vështira. Kemi bërë një hap fals ndaj Andorës. Tani do të luhet ndaj Anglisë dhe do të provojmë shanset tona për fitore”.

“Jemi vend i vogël, por kemi shumë potencial. Shqiptarët kur duan bëjnë gjërat të mëdha, e pamë edhe me Kombëtaren A ndaj Turqisë. U përballëm si të barabartë me një vend që ka aq shumë milionë banorë”, ka thënë Bushi.

Të ngjashme