Cana: Ky është vendimi im

Prishtinë | 01 Sht 2016 | 10:00 | Nga

Është mbyllur merkato verore dhe një pjesë e lojtarëve të përfaqësueses kanë ndërruar skuadër. Ndër ata që nuk kanë zyrtarizuar ende të ardhmen e tyre është Lorik Cana. Mesfushori legjendar i Shqipërisë së fundmi ka pasur disa probleme shëndetësore që nuk e kanë lejuar të jetë në formën e tij më të mirë.

Dje, në rrjetet sociale, pati një mori lajmesh rreth Canës dhe gjendjes së tij aktuale. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, kapiteni rekordmen i Kombëtares konfirmoi se i duhen disa muaj pushim. “Do të më duhet të bëj disa muaj pushim. Gjatë ditëve të ardhshme do të bëj një komunikatë publike rreth të ardhmes sime dhe aty do të sqaroj gjithçka”, deklaroi shkurtimisht Cana për gazetën.

Ofertat

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Lorik Cana ka qenë në kontakte me disa klube, ndërkohë që ofertat më të mira kanë ardhur nga Kina, Arabia dhe SHBA-ja. Ish-kapiteni kuqezi ka qenë i joshur nga një aventurë e re në SHBA, por kanë hyrë në mes sheikët dhe, më pas, gjithçka ka mbetur pezull.

Gjithsesi, mesfushori 33- vjeçar nuk e ka mbyllur ende me futbollin e luajtur, pasi e ka lënë ende një mundësi të hapur për të luajtur pas disa muajsh. Gjatë karrierës së tij, Cana ka luajtur me skuadrën e Lozanës, PSG-së, Marsejës, Sandërlendit, Gallatasarajit, Lacios dhe Nantës.

Me përfaqësuesen shqiptare, futbollisti nga Gjakova ka luajtur 93 ndeshje, duke vendosur rekord absolut sa u përket prezencave me fanellën kuqezi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme