Cana: Sëmundja e zemrës më detyroi të lija futbollin

Prishtinë | 29 Pri 2017 | 12:47 | Nga

Lorik Cana ndodhet në Shqipëri, ku po ndjek kursin përkatës për trajner dhe menaxher futbolli, si dhe po ndjek implementimin e një projekti të fushave të futbollit.

Pasi i ka “varur këpucët në gozhdë”, ish-kapiteni ynë kuqezi ka vijuar kompletimin në një anë tjetër profesionale, që ka të bëjë po me këtë sport.

Ai po shijon tashmë ditë të plota pranë familjes, nuses dhe djalit, duke kompensuar mungesat e kohës që ishte në aktivitet, me disa klube të ndryshme europiane.

Në një intervistë në emisionin “Pasdite në Top Channel”, ka zbuluar edhe shkakun që e detyroi ta linte futbollin në një mënyrë të papritur, që ka të bëjë me problemet me zemrën.

Ishin këshillat e mjekëve për të mos vazhduar, ato që determinuan edhe në marrjen e vendimit për t’u tërhequr nga futbolli i luajtur pas finaleve të “Euro 2016”.

Në fakt mjekët e këshilluan atë të mos luaj në Kampionatin Evropian por ai pavarësisht këshillave të tyre, Cana luajti edhe një vit, deri sa përfundoi edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Evropian të futbollit.

“Ka qenë një periudhë kur unë luaja dhe në fushë ishte edhe defibrilatori në rast se do të ishte i nevojshëm. Kjo më shqetësonte pak, por më pas e harrova praninë e tij në fushë dhe rrezikun e zemrës, ndaj luajta deri në ndeshjen e fundit”, – tha ai.

Angazhimet e tij të fundit e kanë mbajtur të lidhur me futbollin. Ai do të nisë realizimin e fushave të sportit për fëmijët në Tiranë dhe më pas edhe në bashki të tjera, si projekti i parë i fondacionit që mban emrin e tij.

Ky nuk do të jetë angazhimi i tij i vetëm, teknologjia është një tjetër fushë, ku do të investohet nga futbollisti i njohur, gjithashtu certifikimet për t’u bërë trajner janë në planet e tij të afërta.

Dhe, sigurisht, familja, koha që kalon me djalin dhe të afërmit e tjerë janë prioritetet e tij këtë periudhë. Ai rrëfeu gjithashtu për dasmën me nusen italiane, Monikën, dhe për djalin e tyre të vogël, Bojken, që u ngjan shumë të dyve kur ishin të vegjël. Ai tregoi përmes një videoje të martesës, e cila u publikua për herë të parë në “Pasdite në Top Channel”, ceremoninë e dasmës, momente intime familjare, madje zbuloi edhe anëtarët e tjerë të familjes “Cana”.

Loriku është vëllai i madh i dy motrave, Laura dhe Lea 15-vjeçare. Ai nuk la pa përmendur edhe njohjen me Monikën në një restorant në Itali dhe sesi një rastësi e bukur solli në jetën e tij shpirtin binjak.

“E pashë rastësisht në një restorant në Romë, i lashë numrin tim të telefonit kamerierit dhe ika. Erdha në Shqipëri për t’u grumbulluar për ndeshje. Monika më dërgoi pas disa ditësh një mesazh, ku më thoshte se këto mënyra kanë dalë nga moda, por mesa duket edhe pse jashtë mode mënyra ime funksionoi”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme