Cardiffi refuzohet nga shumë lojtarë pas zhdukjes së sulmuesit Sala

Prishtinë | 02 Shk 2019 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Cardiff Cityt, Neil Warnock, ka zbuluar se disa lojtarë nuk kanë dashur t’i bashkoheshin ekipit uellsian gjatë janarit, pas asaj që i ndodhi përforcimit të ri, sulmuesit Emiliano Sala, kur u zhduk me aeroplanin që po e bartte.

Sala, 28-vjeçar, do të duhej të ishte transferimi rekord i Cardiffit, por rrugës për t’iu bashkuar ekipit të ri nga Nantesi aeroplani u zhduk mbi Kanalin Anglez. Ngjarja ndodhi më 21 janar dhe ende asgjë nuk dihet për fatin e tij dhe të pilotit.

Trajneri Warnock ka thënë se afati kalimtar i janarit ishte shumë i vështirë dhe tragjik për skuadrën e tij. Pas humbjes së argjentinasit Sala, Warnock tha se janë kontaktuar edhe disa lojtarë të tjerë, por që asnjëri nuk ka pranuar të jetë pjesë e Cardiffit. Sipas tij, ata hezitonin për shkak të ngjarjes që i ndodhi sulmuesit të pafat.

“Dy sulmues që i kontaktuam nuk dëshiruan të vinin tek ne për shkak të rrethanave të krijuara. Ata nuk donin të ishin pjesë e ekipit tonë pas asaj që ndodhi me Salan për të cilin vazhdimisht po mendoj dhe po lutem”, u shpreh Warnock. “Po e kalojmë një periudhë mjaft të vështirë pas asaj që ndodhi para dhjetë ditësh. Gjithashtu edhe disa lojtarë të tjerë hezituan të transferoheshin te ne. Jemi në një situatë të keqe, por duhet të vazhdojmë tutje”.

Skuadra e Cardiffit po lufton për mbijetesë në Premier League, pasi renditet në pozitën e 18-të me 19 pikë. Tragjedia e fundit, sipas trajnerit Warnock, ka vështirësuar edhe më shumë gjërat. Ai insiston se lojtarët nuk janë mirë në aspektin emocional.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme