Carragher thotë se Mustafi i ka ditët e numëruara tek Arsenali

Prishtinë | 31 Tet 2019 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se ditët e qendërmbrojtësit shqiptar të Arsenalit, Shkodran Mustafi, në Premier Ligë janë të numëruara, pas eliminimit të “Topçinjve” nga Kupa e Ligës.

Mustafi sezonin e shkuar u kritikua ashpër për disa gabime dhe sivjet është larguar nga ekipi i parë i Unai Emeryt, duke u paraqitur vetëm në garat e kupës. Ish-mbrojtësi i Valencias, të mërkurën në Anfield ndaj Liverpoolit realizoi autogol e bashkë me ekipin pësuan pesë gola në ndeshje e u eliminuan pas penaltive.

Tani Carragher beson se Mustafi është afër largimit, pas gabimeve të njëpasnjëshme.

“Mendoj se ditët që Mustafi të luajë në Premier Ligë kanë marrë fund”, ka thënë ai për “Sky Sports”.

“Ai është një nga ata mbrojtësit që bën gabime. Kur dikush e bën këtë i bën të tjerët nervozë. Ju s’mund të luani lojën tuaj sepse jeni duke mbuluar gabimet e tij. Mendoj se sapo që të largohet do të ishte më mirë për të gjithë tek Arsenali”, ka deklaruar më tej anglezi.

Arsenali nisi dobët ndeshjen e së mërkurës duke pësuar përmes autogolit të Mustafit në fillim. Më pas “Topçinjtë” u kthyen me dy golat e Gabriel Martinellit e një të Lucas Torreiras para fundit të pjesës së parë. James Milner ngushtoi rezultatin në fund të 45-minutëshit të parë. Në pjesën e dytë, Ainsley Maitland-Niles realizoi për 4 me 2 para se Alex Oxlade-Chamberlain e Divock Origi të barazonin për Liverpoolin. Joe Willock ktheu epërsinë tek Arsenali sërish, ndërsa Origi në fund të ndeshjes barazoi sërish gjithçka, para se “Të Kuqtë” të fitonin në penalti.

Të ngjashme