Casemiro: Zidane nuk u largua asnjëherë nga Real Madridi

Prishtinë | 29 Mar 2019 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i Real Madridit, Casemiro, e ka lavdëruar trajnerin e tij francez, Zinedine Zidanin, duke shtuar se ai nuk u largua asnjëherë nga Real Madridi.

Zinedine Zidane e la postin e trajnerit të klubit madrilen në fund të sezonit të kaluar, pasi triumfoi për të tretin sezon radhazi në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, ai u kthye në këtë pozitë këtë vit.

Real Madridi e kërkoi ndihmën e Zidanit pasi e shkarkoi Santiago Solarin nga pozita e trajnerit, për shkak të dështimeve të klubit në La Liga, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve.

“Trajneri ynë është ikonë e klubit. Jo vetëm si lojtar, por edhe si trajner. Zidane e ka dëshmuar se është më shumë sesa vetëm trajner”, ka thënë Casemiro në një intervistë me të përditshmen spanjolle, Marcan.

“Për skuadrën, Zidane nuk u largua asnjëherë, ai na e la stilin e tij të lojës. Pa dyshim, ai vuajti bashkë me ne në këtë kohë dhe kjo është arsyeja pse u kthye. Zidane nuk ishte larguar”.

“Zidane nuk u largua asnjëherë dhe ne gjithmonë kemi ndierë shumë dashuri për të. Ai u kthye normalisht dhe me shumë dashuri, duke mbetur i njëjti Zizou si gjithmonë”.

“Ai është njëri ndër çelësit për të fituar tituj dhe këtë e ka dëshmuar gjatë viteve të fundit. Me të, ne jemi të sigurt se do të luftojmë për tituj”.

Zidane e fitoi ndeshjen e tij të parë pas kthimin në karrigen e trajnerit në “Santiago Bernabeu”. Ai siguroi fitore me rezultat 2:0 ndaj Celta Vigos.

Real Madridi pozicionohet në vendin e tretë në tabelën e La Ligës, 12 pikë pas lideres, Barcelonës, pas 28 xhirove të zhvilluara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme