Çeferin pret që shumica e ligave nacionale të kompletohen

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin ka thënë se 80 për qind të ligave nacionale do të kompletohen. Ai ka konfirmuar se UEFA ka plan konkret për përfundim të stinorit evropian.

Shefi i Konfederatës Evropiane të Futbollit ka ndier se Ligue 1 e Francës është anuluar më herët se që është dashur. Ai insiston se vendimet e qeverive përkatëse nuk do të kenë ndikim në kupat evropiane. Çeferin ka theksuar se rregullat e ferplejit financiar do të ndryshohen pas krizës financiare në futbollin evropian.

“Situatat është e jashtëzakonshme dhe ne nuk do të pretendojmë të kundërtën”, ka thënë Çeferin për beIN Sports. “Ne do të adaptojmë sistemin e ferplejit financiar, por vendimi përfundimtar se në cilin drejtim do të bëhet kjo, nuk është marrë. Por ne do ta adaptojmë atë. Ne mendojmë se është me rëndësi të adaptojmë atë pasi situata për klubet nuk është e lehtë dhe ne të gjithë jemi në një barkë këtu”.

Pavarësisht aspektit financiar, i pari i UEFA-s ka siguruar tifozët se shtëpia evropiane ka synim të përfundojë kampanjën aktuale.

“Ne kemi plan konkret për të përfunduar stinorin evropian. Unë mendoj se shumica e ligave do të përfundojnë edicionin. Ato që nuk e përfundojnë, është vendim i tyre, por sërish duhet të luajnë kualifikime nëse dëshirojnë të marrin pjesë në gara të UEFA-s. Ne duhet të presim për Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s që të konfirmojë datat, por unë mund të them se stinori evropian do të përfundojë në gusht, nëse çdo gjë është si duket tash”, ka theksuar Çeferin.

Ai ka shtuar se ligat nacionale janë të ndara nga garat evropiane. Sipas tij u takon ligave nacionale të vendosin se si do të veprojnë.

“Por unë mendoj se 80 për qind të ligave do të përfundojnë edicioninin”.

Çeferin beson se UEFA nuk duhet të ndryshojë shumë kalendarin për edicionin e ardhshëm. Thotë se nuk ka shumë hapësirë për të bërë këtë.

Të ngjashme