Çekia e bindur në fitoren që ia siguron kualifikimin

Prishtinë | 14 Nën 2019 | 09:35 | Nga Ekonomia Online

Çekët janë të vendosur. Thonë se nuk pranojnë rezultat tjetër ndaj Kosovës pos fitores. Nëse do të dalë kështu, do të shihet sot, kur në Plzen, nga ora 20:45, do të luhet ndeshja eliminatore për “Euro 2020”.

Kjo ndeshje pritet të sqarojë shumëçka sa i përket vendit të dytë në Grupin A, të cilin aktualisht e mban Çekia me 12 pikë. Kosova ka një pikë më pak në vendin e tretë. Anglia është lidere me 15 pikë dhe thuajse ka siguruar kualifikimin.

Seleksionuesi Jaroslav Silhavy dhe kapiteni Vladimir Darida janë shprehur të bindur në fitore të skuadrës së tyre, gjatë konferencës së mbajtur mërkurën, shkruan sot Koha Ditore.

Silhavy ka thënë se ekipi i tij është i gatshëm për këtë ndeshje të rëndësishme, që, sipas tij, do të përcaktojë fatin e të dy ekipeve sa i përket kualifikimit në Evropianin e vitit tjetër. Ai ka insistuar se Çekia në asnjë mënyrë nuk do t’i përsërisë gabimet e ndeshjes së parë ndaj Kosovës, që, sipas tij, i kushtuan me humbje 2:1, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

“Nuk kemi nevojë fare për motivim, pasi të gjithë e dinë rëndësinë që ka ndeshja me Kosovën për ne. Unë besoj se mund t’ia dalim. Gabimet që i kemi bërë në ndeshjen e parë nuk besoj se do t’i përsërisim. Kjo ndeshje mund të them se është ndeshja e vitit për ne, pasi do të vendosë se a do të kualifikohemi edhe një herë në Evropian. Nuk pranojmë assesi ta humbim këtë ndeshje, pasi fitorja ndaj Anglisë nuk do të kishte asnjë vlerë”, është shprehur Silhavy, që pret edhe përkrahjen e madhe të tifozëve në këtë ndeshje.

Ai shtoi se të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë dhe tha se mungesën e sulmuesit kryesor, Partik Schick, do ta kompensojë me Michael Krmençikun ose Zdenek Ondrasekun.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme