Çekia ka dy ndeshje këtë muaj, por mendjen e ka te dueli me Kosovën

Prishtinë | 02 Tet 2019 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Seleksionuesi i Çekisë, Jaroslav Shilhavy, të martën ka publikuar listën e lojtarëve në të cilët llogarit për ndeshjen kualifikuese ndaj Anglisë dhe atë miqësore ndaj Irlandës së Veriut.

Por Shilhavy në konferencë për shtyp ka folur shumë edhe për ndeshjen Çeki – Kosovë, që luhet më 14 nëntor në Plzen dhe që pritet të jetë vendimtare për kualifikim në “Euro 2020”, shkruan sot Koha Ditore.

Çekia më 11 tetor në Pragë takohet me Anglinë, favoriten e grupit A të eliminatoreve për Evropianin e vitit tjetër.

Më 14 tetor, po në Pragë luan ndaj Irlandës së Veriut në miqësore. Anglia udhëheq në Grupin A me 12 pikë nga katër ndeshje, të cilat i ka fituar bindshëm. Çekia është e dyta me 9 pikë nga pesë ndeshje, ndërsa Kosova e treta me 8 pikë nga pesë ndeshje. Mali i Zi e Bullgaria janë tashmë jashtë garës, me nga dy pikë.

Te Çekia pranojnë se Anglia është favorite e madhe. Në “Wembley”, Anglia kishte fituar ndaj çekëve me shifrat 5:0.

“Pikët ndaj Anglisë do të ishin bonus shumë i mirë”, ka thënë Shilhavy në konferencën për shtyp, ku ka folur edhe për Kosovën. “Mendoj se do të kemi ndeshje të madhe në Plzen me Kosovën. Do të vendoset shumë në atë ndeshje”, ka shtuar Shilhavy. Ai e ka vlerësuar esenciale ndeshjen ndaj Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme