Çekia ndryshon sërish sistemin për shitjen e biletave të ndeshjes kundër Kosovës

Prishtinë | 22 Tet 2019 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të frikës se mund të ketë thirrje politike kundër Kosovës dhe se tifozët mund të mos jenë çekë, Federata e Futbollit e Çekisë po e ka të vështirë të vendosë për një sistem të vetëm për shitjen e biletave të ndeshjes Çeki – Kosovë.

Përballja mes Çekisë dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet më 14 nëntor në “Doosan Arena”, do të jetë vendimtare për fatin e të dyja Kombëtareve në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, transmeton Gazeta Express.

Çekia radhitet në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A, me një pikë më shumë të fituar sesa Kosova, përderisa Anglia është lidere e grupit. Me fitore në përballjen e 14 nëntor, Çekia do ta fitonte kualifikimin në EURO 2020, ndërsa Kosova do të duhej të tentonte edhe një herë përmes play-offs të Ligës së Kombeve.

Tifozët çekë kishin planifikuar të lëshonin mesazhe politike kundër Kosovës përmes një droni gjatë ndeshjes së shtatorit mes dy Kombëtareve në Prishtinë, të cilën Dardanët e fituan 2:1 ndaj Çekisë, por u parandaluan nga policia e vendit.

Policia e Kosovës i arrestoi shtatë tifozë cekë, përfshirë një serb, para se t’i lironte brenda ditës pasi i kishte intervistuar, gjobitur dhe ua kishte konfiskuar disa pajisje të ndryshme.

Tani, Federata e Çekisë vlerëson se kjo ndeshje përbën rrezik prandaj ka marrë një seri masash, përfshirë ndryshimin e mënyrë së shitjes së biletave. Fillimisht ishte planifikuar që biletat të shiten online prej 17 tetorit, pastaj u vendos që ato të shiten vetëm fizikisht prej 23 tetorit.

Megjithatë, tani, një ditë para se të fillojë shitja e biletave, Federata çeke e ka ndryshuar sërish sistemin. Tifozët do të mundë t’i blejnë biletat në zyrat e stadiumit ose mund t’i rezervojnë ato online e t’i marrin pastaj në zyre të stadiumit ose përmes postës.

Në të dyja rastet, biletat do t’u shiten vetëm personave me nënshtetësi çeke dhe një person do të mundë t’i blejë maksimumi katër bileta e për të gjitha duhet t’i japë të gjitha detajet për identifikim.

“Ne u detyruam ta marrim një vendim për shitjen direkte të biletave në Doosan Arena menjëherë për shkak të informatave që i kishin dhe për shkaqe sigurie. Të gjithë hapat i bëmë që pastaj të fillonte shitja klasike online të enjten”, ka thënë kryetari i Federatës çeke, Martin Malik.

“Në këtë mënyrë ne patëm kohë ta gjejmë një mënyrë për t’iu dhënë qasje në bileta edhe tifozëve jashtë regjionit të Plzenit”.

Të ngjashme