Celina transferohet në Dijon

Prishtinë | 09 Sht 2020 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Ylli kosovar u largua përfundimisht nga Swansea për afro 3 milionë euro dhe karrierën do ta vazhdojë në futbollin francez, tek ekipi Dijon

E ardhmja e Bersant Celinës do të jetë larg futbollit anglez.

Në fakt, ylli kosovar do ta vazhdojë karrierën në Francë.

Ai i është bashkuar sot klubit Dijon.

Për 23 vjeçarin, klubi nga Ligue 1 thuhet se do t’i paguajë 3 milionë funte, që i bie pak më shumë se 3 milionë euro.

Ish-futbollisti i Manchester Cityt i kaloi dy sezone në Swansea City.

Por, menaxheri Steve Cooper u detyrua ta sakrifikonte atë për shkak të problemeve financiare me të cilat po përballet klubi nga Championshipi.

Prizrenasi ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me Dijonin.

Në Francë ai do t’i gjejë edhe dy bashkëkombësit e tij, Arbër Zeneli e Valon Berisha, të cilët janë pjesë e ekipit Reims.

Muaj më parë, Dijoni e kishte kërkuar edhe futbollistin tjetër kosovar, Edon Zhegrova.

Celina i kishte zhvilluar katër ndeshje me Manchester Cityn, ndërsa e kishte kaluar një periudhë huazimi në Holandë tek Twente, para se t’i bashkohej Swanseat.

Futbollisti kosovar i rritur në Norvegji gjithashtu është pjesë e rëndësishme e Përfaqësueses së Kosovës dhe ishte titullar në ndeshje me Greqinë.

Të ngjashme