Challandes: Jam i befasuar me kritikat e shumta ndaj nesh

Prishtinë | 13 Tet 2020 | 18:43 | Nga Ekonomia Online

Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se është i befasuar me kritikat e shumta që kanë ardhur ndaj skuadrës dhe lojtarëve për rezultatet jo të mira së fundi.

Ai ka thënë se duhet pasur të qartë se skuadra ka pasur shumë probleme me lëndime, por po ashtu se nuk mund të pritet që të fitohet pa telashe ndaj Greqisë apo Sllovenisë. Challandes e pranon se rezultatet nuk kanë qenë të mira, por ai thotë se duhet qëndruar të bashkuar.

“Kemi pasur shumë probleme në skuadër, veçanërisht me lëndimet e lojtarëve. Rezultatet nuk janë të mira. Ka qenë zhgënjim i madh pas Maqedonisë, nuk ishte lojë e lehtë ndaj Sllovenisë e nuk është as ndaj Greqisë. Duhet të qëndrojmë skuadër. Duhet të qëndrojë një trajner me skuadër, që ta ndihmojë skuadrën. Nuk kemi kaluar periudhë të mirë. Ta bëjmë më të mirën e mundshme”, ka deklaruar Challandes. “Dy gjëra dua t’i ceki. Në kontingjentin tonë na mungojnë dhjetë lojtarë shumë të rëndësishëm. Nuk dua të flasë për ata që mungojnë, por duhet pasur parasysh kjo kur të bëhen analizat. E dyta jam i befasuar me kritikat e shumta për rezultatet tona. Për mua është pak problem kjo. Unë nuk dua të humbas, por Greqia është Greqi, është vend i madh futbolli dhe ka shumë lojtarë që luajnë jashtë. Ne luajmë në Ligën C dhe nuk duhet të presim të fitojmë pa problem ndaj Greqisë, Sllovenisë apo Moldavisë. Moldavia, edhe vet trajneri i Greqisë tha se ishte shumë vështirë ndeshja. A e keni parë ndeshjen? Pa atë penallti, pa karton të kuq ndaj Moldavisë, ndoshta Greqia nuk do të fitonte. Nuk është e lehtë për ne. Në rregull më pëlqen të luaj mirë. Nuk është e lehtë të shënosh ndaj Sllovenisë. Lojtarët sllovenë vrapojnë shumë. Nuk ishte e mjaftueshme, por nuk mund të mendojmë se mund të fitojmë e në edicionin e ardhshëm të jemi në Ligën B. Isha pak i befasuar me aq shumë kritika”.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë që të luajë lojë defensive. Kosova luan nesër me Greqinë në kuadër të Ligës së Kombeve. 

“Problemi i vërtetë ka qenë në aspektin ofensiv, por në defensiv. Është e qartë se nuk kemi shënuar shumë gola. Nëse shikoni golat, kemi shënuar autogol, një ndeshje nga gjuajtja e lirë, pastaj një gol nga një gabim se tentuam kurthin e ofsajdit. Problemi ynë ishte se nuk arritëm të shënonim gol. Mund të provojmë të ndryshojmë skemën, por jo për të tentuar të luajmë më mirë në aspektin defensiv, por të kemi sa më tepër mundësi shënimi”, tha Challandes.

Të ngjashme