Challandes liron nga grumbullimi i paraparë katër futbollistët e Prishtinës

Prishtinë | 01 Qer 2021 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Skuadra e Prishtinës kishte bërë kërkesë që katër futbollistët e saj, Gledi Mici, Endrit Krasniqi, Leonit Abazi dhe Lumbardh Dellova të riktheheshin në klub pasi ka ndeshjet parakualifikuese për Ligën e Kampionëve.

Klubi bardhëeklatër kishte kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës që të lirojë nga detyra me Përfaqësuesun katër futbollistët e saj të thirrur nga Bernard Challandes, pasi ata kishin në agjendë duelet për ndeshjet parakualifikuese për Ligën e Kampionëve.

Tani, FFK-ja i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Prishtinës, duke liruar të katër lojtarët.

Njoftimi i plotë (pa ndërhyrje) i shtëpisë së futbollit kosovar:

Me kërkesë të FC Prishtina dhe me qëllim të përkrahjes së klubeve tona për paraqitje sa më të mirë në garat evropiane, përzgjedhësi Bernard Challandes ka vendosur të lirojë nga grumbullimi i paraparë me Kombëtaren katër futbollistët e skuadrës kampione të Kosovës, e cila ka nisur përgatitjet për pjesëmarrje në parakualifikueset e Ligës së Kampionëve.

Kërkesa e klubit ka ardhur pas publikimit të listës dhe disa ditë pasi FFK ua ka dërguar ftesat Gledi Micit, Endrit Krasniqit, Leonit Abazit dhe Lumbardh Dellovës, për dy miqësoret që do të zhvillohen në Antali kundër Guinesë dhe Gambisë.

Të ngjashme