Challandes: Nuk po e kuptoj a jam në Kosovë apo Shqipëri

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 16:15 | Nga

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka dhënë një intervistë për “albinfo” në prag të takimit miqësor ndaj Shqipërisë që do të luhet ditën e nesër.

Në këtë intervistë Challandes ka folur për të ardhmen e përfaqësueses së Kosovës, si e ndjen ai duelin mes vëllezërve, pastaj për luftën e tij, “më pak me Zvicrën dhe më tepër me Shqipërinë” për t’i bindur lojtarët me prejardhje nga Kosova që të luajnë për Kosovën dhe jo për Shqipërinë apo Zvicrën, etj.

Si erdhi që ju të jeni në krye të një ekipi të ri si Kosova?

Mund të them që ka qenë pak rastësi. Pas përvojës sime me Armeninë, kisha vendosur që të kërkoj një përpaqësuese. Pastaj oferta e Kosovës kishte ardhur dhe unë e kisha studiuar por nuk kisha menduar gjatë dhe thashë: po.

Çfarë ju ka motivuar që ta pranoni këtë emërim?

Përfaqësuesja e Kosovës është një skuadër e re të cilën duhet ndërtuar, por është e qartë që e kam studiuar potencialin e ekipit dhe lojtarëve dhe mendoj so lojtarët luajnë në tërë Evropën në klube të mira, por edhe në Kosovë dhe. Në rregull, duhet t’u japim pak kohë se kampionati është i mirë, por jo mjaftueshëm i mirë për paraqitje ndërkombëtare. Megjithatë duhet punuar dhe unë besoj në të ardhmen e Kosovës, i kam shikuar lojtarët e të rinjtë dhe kam thënë, ok në rregull me këtë ekip ne mund të arrijmë dhe ndërtojmë diçka të mirë.

A është vështirë të ndërtohet një ekip performant kosovar, sidomos duke pasur parasysh faktin se lojtarët vijnë nga jashtë Kosovës dhe se ekipi i Shqipërisë gëzon mbështetje të madhe edhe tek kosovarët?

Vështirë nuk është sepse lojtarët luajnë jashtë vendit, ne edhe në përfaqësuesen e Zvicrës kemi vetëm një lojtar që luan në kampionatin vendor, ky nuk është një problem. Kjo është krejt normale, por është e qartë se konkurrenca me Shqipërinë është një problem i vogël për mua. Mirëpo unë e di këtë dhe Panucci i Shqipërisë e di po ashtu dhe ne angazhohemi për lojtarë të mirë. Kjo është e qartë. Për mua si trajner i Kosovës është me rëndësi të bëj gjithçka për të bindur lojtarët që të luajnë për Kosovën dhe jo për Shqipërinë. Kjo është po ashtu një lojë dhe kjo është puna ime, për shembull, për disa lojtarë që janë në Zvicër, për t’i bindur të vijnë tek ne. Mirë, nëse ju nuk mund të luani për Zvicrën, ejani për Kosovën dhe jo për Shqipërinë dhe Panucci vepron njejtë.

E ndjeni presionin e mediave dhe analistëve të futbollit zviceran se po merrni futbollistë nga Superliga e Zvicrës për të luajtur për Kosovën?

Jo, nuk kam presion. E di shumë mirë dhe gazetarët duhet ta dinë po ashtu, se është një histori e keqe, e gabuar se për shembull, ja ai e do një lojtar, Challandes e merr një lojtar nga Zvicra për Kosovën. Jo kjo nuk funksionon kështu! Lojtarët, familja dhe agjentët vendosin. Ju jap një shembull, nëse një lojtar ka shanse të luajë për Zvicrën, të shkojë me ekipin në KB në Rusi, me këtë gjë unë mund të jetoj, dhe pa problem, e nuk dua të luftoj sepse kjo është krejtësisht normale, lojtari shkon me Zvicrën në Rusi sepse lojtari dëshiron të luaj në nivele të larta edhe për ardhmërinë e tij.

Është sigurt që në fund gjithmonë e vendos lojtari dhe jo Challandes apo Panucci. Ne e kemi parë këtë me Zvicrën; Xhaka luan për Zvicrën, Shaqiri luan për Zvicrën, jo për Kosovën, jo për Shqipërinë, është e qartë. Taluant Xhaka nuk mundi të luajë për Zvicrën në atë kohë dhe shkoi të luajë për Shqipërinë, Abrashi shkoi tek Shqipëria dhe kjo është normale, është në rregull. Por tani kemi disa lojtarë të shpresave U21 te Zvicra, nëse shikojmë Albian Ajetin, ai ka një shans për ekipin e parë të Zvicrës dhe mua më duhet të pres. Lufta ime për mua nuk është mes Zvicrës dhe Kosovës, lufta ndoshta është midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Si do t`i përgatitni lojtarët për përballjen e quajtur ndryshe dueli mes vëllezërve? Herën e fundit kundër Shqipërisë keni qenë trajner i Armenisë dhe e keni humbur 0-3, me ç’rast Shqipëria ka siguruar kualifikimin për KE. A është kjo lojë edhe për ju një duel mes vëllezërve apo ju keni një faturë të hapur me Shqipërinë?

Sigurisht, ky është një duel mes vëllezërve. Unë kam qenë pak i befasuar fillimisht si zviceran, kam menduar që është pak më ndryshe, por atje e kam parë që Kosova jeton me Shqipërinë dhe unë nuk e dija a jam në Kosovë, a jam në Shqipëri. Nuk kam parë ndonjë ndryshim. Ekipi nacional i Kosovës ka luajtur kualifikimet në Shqipëri dhe kjo tregon se Kosova dhe Shqipëria jetojnë shumë mirë bashkë. Me humbjen 3-0 nga Shqipëria, unë nuk isha më trajner, por loja ime e fundit me Armeninë ishte në Shqipëri. 1-0 për ne dhe në fund ne morëm dy gola me Gashin dhe Lenjanin që krosoi. Duhet të shohim, është një lojë speciale mes vëllezërve, por unë jam zviceran dhe për mua si trajner kjo është një lojë normale kundër një ekipi shumë të mirë. Sot është një lojë përgatitëse për Kampionatin Europian. Ne do të luajmë kundër një ekipi të mirë, me shumë përvojë që ishte edhe në Francë (Kampionatin Evropian).

A janë të motivuar lojtarët me fanelën e Kosovës, sepse kanë pasur një fazë të vështirë në kualifikimet e Botërorit?

Duhet të relativizojmë, pjesëmarrja e parë në histori me Kroacinë, Turqinë, Islandën, Ukrainën,  si mund të prisnim të marrim shumë pikë nga këto ekipe. Nuk ka qenë keq, nuk ka qenë aq e thjeshtë, është shumë e qartë. Për një fazë të parë kualifikuese, për një ekip të ri nacional nuk ka qenë aq keq. Nëse marrim vetëm rezultatet, vetëm një pikë, mund të themi, po, nuk ishte mirë. Ky është një proces dhe ne duhet të kemi durim. Unë ëndërroj të kualifikohem për Kampionatin Europian, unë të arrij gjithçka me ekipin e Kosovës, por ne jemi Kosova dhe pas dy pjesëmarrjeve për kualifikim të arrijmë menjëherë një qëllim të këtillë, në Evropë, me 26 ekipe. Mirëpo në futboll është gjithçka e mundur, ne duhet të besojmë, duhet të ëndërrojmë dhe unë po e bëj këtë, por e di që durimi nuk është cilësia e parë e njerëzve.

A ka Kosova infrastrukturë sportive për ekipin kombëtar?

Ne duhet të përmirësohemi çdo ditë, jemi një fëmijë dhe duhet të mësojmë për t’u bërë më mirë. Në kampionat për shembull nuk ka ende një infrastrukturë të mirë, por kjo është normale. Kosova është 10 vjet e vjetër, është ende një fëmijë. Kur shohim ekipin e Prishtinës që luan në Pejë, kjo është e pabesueshme për mua. S’ka stadium, s’ka fushë në Prishtinë për Prishtinën. Si është kjo e mundur, por sot është kështu dhe ne duhet të punojmë që nesër të bëhet më mirë. Ky është një zhvillim normal edhe për të gjitha klubet dhe përgatitjen e të rinjve, trajnerëve, fushave, infrastrukturës. Për mua kjo nuk ka qenë një befasi, është shumë normale, jemi të rinj e duhet të punojmë dhe Federata është gati për këtë.

Si e keni ndjerë veten në Kosovë?

Ndjenja ka qenë pozitive, shihej që njerëzit jetonin, vendi ka gjallëri. Nëse shëtit në qendër të Prishtinës, sheh se të rinjtë, shumë të rinj janë aty, janë në rrugë, ata jetojnë.

Ishte komunikimi një problem, si keni komunikuar atje, si flisni me lojtaret?

Jo, tani të gjithë të rinjët flasin ngapak anglisht dhe me lojtarët flas më tepër anglisht, pastaj gjermanisht apo frengjisht.

Cilat janë synimet e Kosovës në Ligën e Kombeve?

S’ka synime, ne duam ta fitojmë grupin tonë,  unë nuk funksionoj kështu si trajner. Kjo është budallaki, objektivat janë të ndërtojmë një ekip që luan mirë e që përmirësohet lojë pas loje.

Unë nuk e di a mjafton kjo në fund për të fituar grupin, por duhet gjithnjë të përmirësohemi e të luajmë më mirë. Ky është objektivi, të ndërtojmë një ekip të vërtet e të krijojmë një familje brenda ekipit.

“Nuk e dija a jam në Kosovë apo në Shqipëri”.

Unë kam qenë pak i befasuar fillimisht si zviceran, kam menduar që është pak më ndryshe, por atje e kam parë që Kosova jeton me Shqipërinë dhe unë nuk e dija a jam në Kosovë, a jam në Shqipëri. Nuk kam parë ndonjë ndryshim. Ekipi nacional i Kosovës ka luajtur kualifikimet në Shqipëri dhe kjo tregon se Kosova dhe Shqipëria jetojnë shumë mirë bashkë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme