Championsi mund të luhet në Lisbonë

Prishtinë | 12 Qer 2020 | 19:32 | Nga Ekonomia Online

Lisbona duket favorite për të organizuar pjesën finale të edicionit 2019\2020 të Ligës së Kampionëve në futboll.

Kryeqendra e Portugalisë është në garë për të organizuar një version të shkurtuar të Championsit. Ideja është që të gjitha ndeshjet duke filluar nga çerekfinalja të luhen në një vend. UEFA po kërkon zgjidhje për të kompletuar edicionin përkundër kaosit në trafik të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Sipas Sky Sports, mbetet të diskutohet se si do të luhen katër ndeshjet e mbetura të një të tetës së finales. Mund të arrihet një marrëveshje që edhe katër ndeshjet e mbetura të luhen në Lisbonë, që pritet të marrë të drejtën e organizimit të finales nga Stambolli. Qyteti portugez ofron dy stadiume të mëdha që janë afër njëri-tjetrit.

Stambolli mund të kompensohet duke iu dhënë e drejta për të organizuar finalen e Championsit në një nga vitet e ardhshme, nëse Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendos që Lisbona është opsioni më i mirë për ndeshjet e këtij edicioni. Finalja mund të luhet më 23 gusht, ndërsa të gjitha ndeshjet mund të përfundojnë brenda dhjetë ditëve.

Në Frankfurt apo Duesseldorf mund të luhen ndeshjet finale të Ligës së Evropës.

Të ngjashme