Chelsea nis të mendojë për përforcime pas heqjes së suspendimit

Prishtinë | 07 Dhj 2019 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Skuadra londineze Chelsea është e lirë të transferojë lojtarë të rinj në afatin kalimtar të janarit, pasi ndalesa e vendosur nga FIFA për të u zvogëlua pas apelit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) të premten.

Chelseat i ishin ndaluar transferimet për dy afate kalimtare pas shkeljeve që ishin konstatuar gjatë rekrutimit të futbollistëve të mitur. Ekipi londinez tashmë ka vuajtur suspendimin për afatin kalimtar të verës, por nuk do të vuajë edhe për afatin e janarit, shkruan sot Koha Ditore.

Londinezëve gjithashtu u është reduktuar edhe gjoba fillestare prej 600 mijë frangash zvicerane që ia kishte shqiptuar FIFA, në 300 mijë, pasi CAS-i ka konstatuar se apeli i Chelseat ishte plotësisht i drejtë.

Në njoftimin e CAS-it të premten thuhet se Chelsea është fajtore për shkeljen e rregullave që lidhen me transferimin ndërkombëtar dhe regjistrimin e lojtarëve të miturve, “por për një numër dukshëm më të vogël të lojtarëve”, duke konkluduar se londinezët ishin fajtorë vetëm për një të tretën e shkeljeve të gjetura nga FIFA. Përveç kësaj, shkeljet e rregullave të tjera të transferimit “u zbuluan se ishin më pak serioze sesa ato që i atribuohen nga FIFA”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme