Cherki, supertalenti i radhës nga Franca që po magjeps botën

Prishtinë | 14 Shk 2020 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Nëse të besohet të startosh për Lyonin në ndeshje si mysafir kundër Paris Saint-Germainit në moshën 16vjeçare, atëherë duhet të jesh diçka i veçantë. Është fer të thuhet se Rayan Cherki është një talent i madh. 

Ai mund të luajë si mesfushor ofensiv, por edhe si lojtar krahu e po ashtu edhe si sulmues. Cherki ka bërë tashmë gjashtë paraqitje në Ligue 1 të Francës për Lyonin dhe është duke u kërkuar nga Real Madridi, Manchester Unitedi e Liverpooli, shkruan sot Koha Ditore.

Talenti 

Cherki është lindur në Francë më 17 gusht të vitit 2003, por ai ka të drejtë të përfaqësojë edhe Italinë e Algjerinë falë prindërve të tij. 

Deri më tash, Cherki ka luajtur për Francën në grupmoshat e reja. Ai luajti dy herë me ekipin U-16 të Francës në vitin 2018. Pasi nisi karrierën në akademinë Saint-Priest, iu bashkua Lyonit në vitin 2010 dhe ka përparuar shpejt nëpër rangje të klubit. Në Ligën e të Rinjve të UEFA-s, Cherki veçanërisht ka rënë në sy. 

Ai ka shënuar katër gola në tri ndeshje në këtë garë këtë stinor. Forma e Cherkit në nivel të të rinjve ka qenë tepër e mirë që të injorohet nga kryetrajneri i Lyonit, Rudi Garcia. Ai gradualisht është futur në skuadrën e parë të Lyonit, duke u aktivizuar si rezervist në disa raste në ligë, para se të startonte kundër Paris Saint-Germainit në fundjavë. Akademia e Lyonit ka nxjerrë shumë lojtarë të mëdhenj në vitet e fundit, përfshirë Karim Benzeman, Alexandre Lacazetten, Samuel Umtitin, Anthony Martialin e Nabil Fekirin. 

Cherki mund të jetë lojtari i radhës që do të shkëlqejë në nivelin e të rriturve dhe do të kalojë në ndonjë klub të madh të futbollit evropian.

Stili i lojës

Cherki është lojtar i gjithanshëm, por ndoshta më efikas është kur luan si mesfushor ofensiv. Një lojtar teknikisht shumë i mirë dhe një driblues mjaft i mirë, ai është në gjendje të dalë nga situatat e vështira me kontrollin e tij të jashtëzakonshëm të topit.

Të ngjashme