Cilësia e PSG-së do të jetë telashe për Guardiolan

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka duruar netët pa gjumë duke u përpjekur të gjejë një mënyrë për t’i ndalur yjet e Paris Saint-Germainit, sulmuesit Neymar dhe Kylian Mbappe, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Gjysmëfinalja e parë në mes të Paris Saint-Germainit dhe Manchester Cityt luhet të mërkurën prej orës 21:00 në “Parc des Princes”.

Guardiola e di shumë mirë që braziliani Neymar dhe francezi Mbappe paraqesin një kërcënim serioz për shpresat e tij për të udhëhequr Cityn në finalen e parë të Ligës së Kampionëve. Dyshja dinamike “copëtoi” Barcelonën në 1/8 e finales përpara se të eliminonte edhe Bayern Munichun në çerekfinale. Guardiola është përpjekur të gjejë një plan për Neymarin e Mbappen, por ai pranoi se ka qenë një detyrë kaq e vështirë, saqë gjumi i është ndërprerë.

“Edhe natën e kaluar kam menduar për sulmuesit e Parisit. Ne e dimë që do të vuajmë në të dy ndeshjet dhe ata do të kenë mundësi për të na eliminuar. Të gjithë e dinë cilësinë që e ka Parisi, por në gjysmëfinale të gjitha ndeshjet janë të forta”, tha Guardiola të martën.

Guardiola beson se mënyra më e mirë e neutralizimit të Neymarit dhe Mbappes është që City të ruajë posedimin e topit sa më shumë që të jetë e mundur.

“Ne do të përpiqemi t’i ndalojmë ata duke u mbrojtur si ekip dhe duke luajtur mirë si ekip. Ne duhet të rregullojmë diçka natyrisht, por në të njëjtën kohë nuk do të kishte kuptim të mos ishim ata që jemi. Pika jonë e fortë është mbrojtja, sepse 11 lojtarët vrapojnë shumë. Ndaj PSG-së, për fat të keq, ne do të duhet të vrapojmë më shumë, sepse është kundërshtar i fortë”, tha Guardiola.

Pasi nuk arriti të dërgojë Cityn në çerekfinale të Championsit në katër sezonet e tij të para në krye, Guardiola e ka kualifikuar ekipin anglez në gjysmëfinalen e dytë të kësaj gare elitare të Evropës.

Tani spanjolli, i cili nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve që nga viti 2011, kur ishte menaxher i Barcelonës, dëshiron që lojtarët e tij të shijojnë përvojën e jo t’i nënshtrohen presionit të asaj që mund të jetë një moment përcaktues në karrierën e tyre.

“Në disa klube kjo është normale, por për ne është e re dhe ne jemi mirënjohës për të”, tha ai.

Duke fituar finalen e Kupës së Ligës kundër Tottenhamit të dielën, City mbetet në garë për tripletën. Është në prag të triumfit edhe në Premier League, kurse këtë sezon në Champions ka synime të mëdha.

“Premier League është më e rëndësishmja, por Champions League është ajo më e bukura që mendoj”, u shpreh Guardiola.

Ngjashëm si Guardiola është shprehur edhe trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, që e ka vlerësuar Cityn si njërin prej ekipeve më të mira në botë. Pochettino ka thënë se edhe Guardiola është trajneri më i mirë në botë derisa ka pranuar se PSG-ja do të mbështetet në shërbimet e dyshes sulmuese Neymar – Mbappe.

“Unë mendoj se City është një prej ekipeve më të mëdha në botë, me trajnerin më të mirë. E di se do të jetë shumë vështirë, nuk e di nëse do të fitojmë apo do të mposhtemi. Gjëja më e rëndësishme është që përgjatë 180 minutave të shkojmë në finale dhe të jemi më të mirë se kundërshtari ynë. Duhet të luftojmë shumë si në Paris, ashtu edhe në Manchester për ta mposhtur një ekip të madh si City”, ka thënë Pochettino. “Nuk do të jetë lehtë as për Cityn e as për ne, por besoj se jemi të gatshëm. City ka lojtarë fantastikë, por edhe ne mund të mbështetemi në shërbimet e Neymarit e Mbappes”.

Të ngjashme