City e pret Tottenhamin, skuadrën që ia prishi sezonin

Prishtinë | 17 Gus 2019 | 11:29 | Nga Ekonomia Online

Tottenhami ia shoi shpresat Manchester Cityt në Evropë stinorin e kaluar. Skuadra londineze po ashtu shpreson t’i japë skuadrës së Pep Guardiolës goditjen e parë në tentimin për të fituar titullin e tretë rresht të Premier Leagues. Manchester City e pret Tottenhamin të shtunën (18:30) në “Etihad” në xhiron e dytë të Premier Leagues.

Një dështim i rrallë në një stinor të madh të Cityt erdhi në prill, kur u eliminua në mënyrë dramatike në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Tottenhami.

Manchester City fitoi 4:3 ndeshjen e kthimit, por kishte humbur 1:0 në udhëtim dhe u eliminua në saje të rregullit të avantazhit të golave si mysafir. Një gol në çastet e fundit nga Raheem Sterling në ndeshjen e kthimit u anulua pas rishikimit të aksionit nëpërmjet sistemit VAR për shkak të pozitës jashtë loje. Goli ishte festuar çmendurisht nga të gjithë te City, por më pas erdhi goditja e VAR-it. Tri ditë pas eliminimit, Manchester City u takua sërish me Tottenhamin, duke fituar 1:0 për të vazhduar rrugën drejt titullit të Premier Leagues.

Tottenhami arriti deri në finale të Ligës së Kampionëve, ku u ndal nga Liverpooli.

“Do të përballemi me skuadrën e dytë më të mirë në Evropë të stinorit të kaluar”, ka thënë Guardiola. “Që kur jam në Angli, Tottenhami ka qenë pretendent i vërtetë çdo stinor. Në stinorin e parë përfundoi në vend të dytë, gjithmonë ka qenë aty lartë duke luftuar për titull”.

Si City ashtu edhe Tottenhami nisën stinorin me fitore.

City triumfoi 5:0 ndaj West Ham Unitedit në Londër, ndërkohë Tottenhami 3:1 në shtëpi ndaj Aston Villas.

Te City do të jenë të lehtësuar që sulmuesi jugkorean Son Heung-min do t’i mungojë Tottenhamit për shkak të suspendimit prej tri ndeshjeve. Son shënoi golin e vetëm të Tottenhamit në ndeshjen e parë të Championsit ndaj Cityt 1:0, ndërsa realizoi dy gola tjerë në ndeshjen e kthimit.

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino në konferencën për media, të premten, ka folur për situatën e Christian Eriksenit, ndërsa ka pranuar se nuk e di nëse ai do të mbetet në klub deri në fund të afatit kalimtar në Evropë. Po ashtu nuk ka treguar nëse Eriksen do të aktivizohet ndaj Cityt.

“Nuk e di. Synimi im është të ndihmoj dhe të përkrah të gjithë lojtarët derisa ata të marrin një rrugë tjetër në karrierën e tyre. Sa për ndeshjen ndaj Cityt të shohim nëse do të luaj. Vetëm 11 lojtarë mund të startojnë. Jam i lumtur se si ka qenë në stërvitje gjatë javës. Unë e zgjedh skuadrën jo nga gjatësia e kontratës së lojtarit, por nga performanca që tregon ai”, ka thënë Pochettino

Të ngjashme