City në vendin e tretë, Guardiola nis të ndiejë presionin

Prishtinë | 28 Dhj 2018 | 09:12 | Nga Ekonomia Online

Kur ka kaluar vetëm gjysma e sezonit në kampionatin më të fortë të futbollit në planet, trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka nisur të ndiejë presionin.

Tekniku i “Citizens” u shpreh i shqetësuar për rrëshqitjen nga kryesimi, teksa tani e shohin veten në vendin e tretë. Sezonin e kaluar, skuadra e tij ishte në krye të renditjes me 13 pikë avantazh mbi rivalin më të afërt, një distancë që askush nuk mundi ta kalonte deri në fund, e që i dha titullin kampion.

Por këtë vit, pas 19 ndeshjeve që përfaqësojnë gjysmën e turneut, City është i treti në hierarkinë e Premier League, me 7 pikë më pak sesa Liverpooli kryesues. Tri humbje në 4 ndeshjet e fundit kanë sjellë një krizë që nuk mendohej para një muaji.

“Lojtarët duhet të mendojnë për ndeshjet me radhë, e jo për renditjen, pasi duhet të ndryshojë dinamika. Lojtarët janë të aftë dhe në gjendje të bëjnë gjëra të mëdha”, tha Pep Guardiola, shkruan TCh.

Manchester City është në garë për Premier League dhe Champions League, por me paraqitjet e fundit, askush nuk beson se skuadra e sheikut Mansour do të arrijë të imponohet.

Në Angli, Liverpool dhe Tottenham, me gola dhe spektakle po kopjojnë ecurinë e “Citizens” gjatë sezonit të kaluar. Megjithatë, prova e forcës do të vijë shumë shpejt. Liverpool luan në shtëpi ndaj Arsenalit më 29 dhjetor, si dhe kundër Manchester Cityt më 3 janar; në këtë të fundit që përfaqëson një përballje të drejtpërdrejtë që do të vendosë shumë mbi moralin dhe renditjen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme