Coleman e fiton të artën në 100 metra, nën dyshime të shumta

Prishtinë | 30 Sht 2019 | 11:44 | Nga Ekonomia Online

Christian Coleman ka fituar të drejtën për t’u quajtur njeriu më i shpejët në botë, por disa e vënë në diskutim nëse ai duhej të merrte pjesë në Botëror.

Amerikani 23-vjeçar, Coleman, e siguroi fitoren të shtunën mbrëma në finalen e 100 metrave vrapim në Botërorin e atletikës në Doha, duke dominuar konkurrencën. Ai hyri në finish me kohë 9.76 sekonda, koha më e mirë e këtij viti. Mirëpo përfshirja e Colemanit në këtë garë kishte ngritur debat.

Pasi Coleman humbi tri teste për doping brenda një viti, Agjencia Amerikane e Anti-Dopingut (USADA) e akuzoi atë për shkelje të rregullave të anti-dopingut, që mund të rezultonte me një suspendim dyvjeçar, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Por për shkak të një rregulli që bëri, që një nga testet e humbura të shtyhej jashtë periudhës njëvjeçare, USADA hodhi poshtë akuzat ndaj tij dhe e liroi të merrte pjesë.

Coleman është rritur në Atlanta para se të kalonte në kolegj në Tennessee dhe ai ka insistuar në pafajësi, madje ka shkuar aq larg sa të postojë një video në YouTube për ta deklaruar këtë. Në një njoftim për media më herët këtë muaj, USADA tha se Coleman është testuar 20 herë që nga viti 2018.

Pas fitores të së shtunës, Coleman ka thënë se është i vetëdijshëm për dyshuesit.

“Është shumë dëshpëruese të dish se ka njerëz aty që thonë gjëra, veçanërisht kur nuk të njohin fare personalisht. Kam menduar se logjika do të ngadhënjejë. Por qartë njerëzit mendojnë atë që duan të mendojnë. Kështu që nuk mund të kaloj kohë duke ua shpjeguar situatën njerëzve që nuk duan ta dinë fare të vërtetën”, ka thënë Coleman.

Michael Johnson, kampion i katërfishtë olimpik, që punon si komentator, ka qenë një nga kritikët më të ashpër të Colemanit.

“Plotësisht e diskualifikon atë që të jetë fytyra e këtij sporti. Kjo do ta ndjekë atë dhe duhet ta ndjekë”, ka thënë Johnson për BBC Sport, para fillimit të Botërorit.

Ishte finalja e parë e madhe në 100 metra që nga viti 2005, ku nuk mori pjesë rekordmeni i botës, xhamajkani Usain Bolt. Stadiumi “Khalifa International” në Doha kishte mjaft ulëse të zbrazëta. Doha mund të mos jetë destinacioni më i qasshëm për tifozët e atletikës, por Bolt, sprinteri më i dekoruar në planet, ishte person që mblidhte tifozërinë. Ai është pensionuar pas Botërorit 2017.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme