Coronavirusi mund të ndikojë në kalendarin sportiv deri në tre vjet

Prishtinë | 30 Pri 2020 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Kriza e COVID-19 mund ta godasë kalendarin sportiv ndërkombëtar për “dy apo tre vjet” dhe potencialisht të ndikojë edhe në Botërorin 2022 të futbollit në Katar, ka thënë Lars-Christer Olsson, një anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, shkruan agjencia Reuters.

Koronavirusi i ri, që ka infektuar mbi 3.13 milionë njerëz nëpër botë dhe ka shkaktuar mbi 218 mijë të vdekur, ka shkaktuar rrëmujë në kalendarin e futbollit, ku është shtyrë Kampionati Evropian npër në vitin 2021 dhe ligat nacionale dhe garat kontinentale të klubeve janë pezulluar.

Botërori 2022 në Katar është paraparë të mbahet nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor të vitit 2022 dhe Olsson ka thënë se mbetet të shihet nëse do të ndikojë kriza edhe në këtë ngjarje të madhe.

I pyetur se sa gjatë mendon se do të preket kalendari ndërkombëtar i futbollit, Olsson ka thënë: “Ndoshta dy apo tre vjet. Nëse virusi zhvillohet në një mënyrë edhe më serioze se që është tash, atëherë definitivisht do të ketë problem në kalendarin ndërkombëtar. Kur garat lëvizin nga një vit në tjetrin, atëherë normale se do të ketë rrëmujë. Por, mendoj se duhet të presim e të shohim se si do të ndikojë”.

Olsson, që po ashtu është president i Ligave Evropiane, ka thënë se UEFA po planifikon ta përfundojë stinorin në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës në gusht.

“Nëse do të ishte e mundur kjo, atëherë do të nënkuptonte se mund të mbrojmë integritetin e fazës finale të stinorit aktual ndërkombëtar të futbollit. Por, sigurisht se duhet të marrim vendim për këtë nga fundi i majit”, ka shtuar Olsson.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme