Coronavirusi ndikon në rënien e vlerës financiare edhe te lojtarët e Kosovës

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

Pak ditë më parë vlera e Milot Rashicës në treg ishte 35 milionë euro, referuar faqes së specializuar për transferime të lojtarëve “Transfermarkt”.

Por, të enjten yllit të klubit gjerman Werder Bremen, 23-vjeçarit nga Vushtrria i ka rënë vlera për shtatë milionë euro. Ai aktualisht vlerësohet 28 milionë euro. Për 2.5 milionë euro i ka rënë vlera edhe yllit tjetër të Kosovës, sulmuesit të Fenerbahçes, Vedat Muriqi.

25-vjeçari nga Prizreni që pak ditë më parë vlerësohej 12 milionë euro, tash vlera e tij është 9.5 milionë euro. Rashica dhe Muriqi janë dy prej lojtarëve më të kërkuar prej klubeve të mëdha të Evropës, përfshirë Liverpoolin, Tottenhamin, Napolin, Interin e disa skuadra të tjera. Rënie ka pësuar edhe mbrojtësi i Kosovës, që nga janari i këtij viti është i huazuar prej Napolit te Verona, Amir Rrahmani, raporton KOHA.

Futbollistit 26-vjeçar nga Prishtina vlera i ka rënë prej 12 milionë në 9.5 milionë euro. Rrahmani në verën e këtij viti do t’i bashkohet skuadrës së Napolit, me të cilën tashmë ka firmosur kontratë deri në vitin 2024. Por, jo vetëm vlera e këtyre tre futbollistëve është prekur nga koronavirusi që ka pezulluar futbollin pothuajse në mbarë Evropën prej muajit të shkuar.

Pandemia COVID19 ka ndikuar në rënie të vlerës financiare edhe te lojtarët e tjerë të Kosovës, e po ashtu edhe te yjet e mëdhenj të futbollit botëror. “Transfermarkt” është uebfaqe me seli në Gjermani në pronë të Axel Springerit që ka informata të futbollit, si për golat, rezultatet, statistikat, lajme për transferime dhe për ndeshjet. Vlerësohet në “top 25” uebfaqet më të vizituara gjermane dhe një nga uebfaqet më të mëdha gjermane sportive pas “Kicker.de”.

Kjo uebfaqe gjermane, gjithashtu, paraqet edhe vlerat e futbollistëve. Ndonëse vlerat e tyre, së bashku me disa fakte të tjera, janë të parashikuara, hulumtuesit nga Qendra për Performancë Ekonomike kanë zbuluar se “spekulimet” për transferime të lojtarëve janë në pjesë të madhe të sakta. Në fakt, ka disa javë që futbollistët nuk janë aktivë në klubet e tyre për shkak të pandemisë COVID-19. Nuk dihet se kur do t’i kthehen punës në grup, ndonëse ekipet e Bundesligës këtë javë kanë rifilluar me stërvitjet në ambient të hapur. Shumica e klubeve, tashmë kanë marrë vendim që t’i ulin pagat e lojtarëve për shkak të krizës financiare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme