Correa: Kam pritur gjatë për të ardhur te Interi, është skuadra ime e zemrës

Prishtinë | 18 Sht 2021 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Joaquin Correa është bashkuar me Interin në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës.

Sulmuesi argjentinas kërkoi me ngulm të transferohet te Interi dhe t’i bashkohet trajnerit Simone Inzaghi.

Qysh në debutim me zikaltërtit, argjentinasi shënoi dy gola për t’i siguruar tri pikë nga udhëtimi në Verona.

Tani lojtari është përgjigjur pyetjeve të tifozëve në Instagramin zyrtar të Interit duke zbuluar se ishte ëndrra e tij të bashkohet me këtë klub.

“Kam pritur shumë vite për të ardhur tek Interi. Është skuadra e zemrës dhe kam punuar për të arritur këtu. Realizova një ëndërr e bërë realitet dhe tani shpresoj që gjithçka të shkoj mirë”, deklaroi Correa.

Tifozët e kanë pyetur argjentinasin edhe për lojtarin që e ka pritur më së miri pas transferimit tek kampioni italian.

“Të gjithë më kanë pritur mirë, por me Lautaron kam raport ndryshe nga të tjerët. Ai më ka thirr çdo ditë në telefon dhe më ftonte t’i bashkohem Interit gjatë kohës kur qarkullonin lajmet. Por në përgjithësi më kanë pritur mirë të gjithë”, tha Correa.

Ndër të tjera Correa foli edhe për debutimin e tij me fanellën zikaltër kur shënoi dy gola ndaj Veronës.

“Ishte diçka e jashtëzakonshme. Doja ta nisja mirë dhe për fat shënova e morëm tri pikët”, deklaroi argjentinasi.

Të ngjashme