Cuculi kalon te Drita

Prishtinë | 16 Gus 2019 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Lëvizje të shumta të lojtarëve ka pasur të premten, në ditën e fundit të afatit kalimtar në futbollin kosovar.

Drita e Gjilanit është përforcuar me mbrojtësin me përvojë, Ardian Cuculi. 32-vjeçari nga Maqedonia Veriore, deri më tash ka luajtur për Kukësin.

Ishte edhe te Shkëndija, Partizani i Tiranës dhe te skuadra tjera në Maqedoninë Veriore, transmeton Koha Ditore.

Ka luajtur edhe për përfaqësuesen e këtij vendi. Drita ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Cuculin, ndërsa ka thënë se prezantimi i tij do të bëhet në ditët në vijim. Për Cuculin të interesuara ishin edhe skuadra të tjera kosovare.

Ndërkohë, të premten me katër lojtarë nga Gana është forcuar Ferizaj. Bëhet fjalë për një mesfushor, dy mbrojtës të qendrës dhe një sulmues.

Ferizaj pret shumë nga lojtarët afrikanë, ndërsa ka njoftuar që ata ishin ndër më të mirët në klubet ku kanë luajtur.

Një ditë më parë Ferizaj njoftoi edhe për tetë lojtarë tjerë të transferuar. Po të premten është raportuar që mesfushori ofensiv Haxhi Neziraj ka firmosur me kampionin në fuqi, Feronikelin. Neziraj deri më tani ka luajtur për Dritën dhe ishte prej më të dalluarëve.

Argjend Malaj, Besmir Bojku e Milosh Krkotiq janë transferuar më herët nga klubi kampion.

Të ngjashme