Dajaku: Askush s’do ta besonte se do të debutoja për Bayernin kaq shpejt

Prishtinë | 26 Dhj 2019 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Ylli kosovar Leon Dajaku ka thënë se askush nuk do ta besonte se ai do t’ia dilte të debutonte për Bayern Munich brenda një periudhe shumë të shkurtër, duke e përshkruar si fantastike ndjesinë e bërjes sefte në Bundesligë me ekipin e parë të kampionit në fuqi.

18-vjeçari nga Kosova debutoi duke u futur si zëvendësues në kohën shtesë në ndeshjen e fundit të Bayernit për këtë vit kundër Wolfsburg, raporton Gazeta Express.

Dajaku – i transferuar nga Shtutgarti te Bayerni verën e kaluar – gjatë këtij sezoni është aktivizuar në 19 takime me skuadrën e dytë të Bayernit në nivelin e tretë të futbollit gjerman, duke i shënuar tri gola.

Në një intervistë për Sportin në KTV, sulmuesi i talentuar foli për debutimin me Bayernin dhe raportet që ka me futbollistët e tjerë të bavarezëve.

“Ishte fantastike, askush nuk do ta besonte se në një kohë kaq të shkurtër do debutoja te Bayerni. Ishte një emocion i veçantë. Trajneri i ri i Bayernit ka shumë dëshirë që të luajnë lojtarët e rinj të skuadrës”, tha Dajaku.

“Pata fat dhe tashmë mund të them kam luajtur me Bayernin. Kam luajtur me Shtutgartin për 5 vjet dhe ka qenë një kohë shumë e mirë. Prindërit më kanë mbështetur shumë dhe atë që them unë ata nuk e diskutojnë, kalimit te Bayerni nuk mund t’i thoshe jo”, shtoi ai.

Me Thomas Mullerin shkoi shumë mirë. Ai është një lojtar që bën shumë shaka dhe me ngacmon me shaka. Kur kam shkuar te Bayerni, ai që më ka mahnitur është Thiago Alcantara, pasi është fantastik me topin në këmbë”, u shpreh Dajaku.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme