Daku ka më shumë gola se secila prej skuadrave të Superligës

Prishtinë | 20 Tet 2020 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku, po kalon formë të lartë në sezonin aktual të Superligës së Kosovës në futboll. Sulmuesi nga Gjilani, që mban fanellën e skuadrës nga Suhareka, ka shënuar 12 gola në gjashtë ndeshje sa është paraqitur. 21- vjeçari ka shënuar dy herë nga tre gola (hat-trick), si dhe në tri ndeshje ka shënuar nga dy gola.

Deri më tani Daku nuk ka shënuar vetëm kundër Gjilanit, ndeshje që kishte përfunduar 0:0. Sulmuesi gjilanas ka mesatare prej dy golave për ndeshje, shifra që nuk i ka arritur askush në dekadën e fundit në futbollin kosovar. Madje Daku ka shënuar më shumë gola se secila skuadër e Superligës së Kosovës.

Vetëm Ballkani ku luan Daku ka realizuar 19 gola, kurse nëntë ekipet e tjera kanë numra njëshifrorë të golave pas gjashtë xhirove. Në një prononcim për “KOHËN”, sulmuesi shtatlartë, ka thënë se ka pritur që të ketë një fillim të mbarë. Sipas Dakut, rol të madh në paraqitjet dhe golat e tij kanë pasur bashkëlojtarët, trajneri dhe presidenti i klubit.

“E kam pritur një fillim të mbarë, pasi kam punuar jashtëzakonisht shumë në fazën përgatiture. Jam përgatitur shumë që të arrijë këtë formë që e kam aktualisht në sezonin e ri. Besimin që e kam pasur nga presidenti i klubit, Arsim Kabashi, trajneri Ismet Munishi e ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme, për të nisur mbarë edicionin. Sigurisht, pa bashkëlojtarët nuk do të mund të arrijë asgjë, edhe ata kanë merita në formën time”, tha Daku, i cili mendon se më të rëndësishme janë sukseset me klubin sesa ato individuale. “Unë mundohem që ta kryej punën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t’i ndihmoj klubit drejt objektivave që ka. Deri më tani jam shumë i lumtur që kam arritur t’i ndihmoj ekipit dhe shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm edhe në vazhdim të kampionatit”. Ai e konfirmon se do të jetë i huazuar te Ballkani deri në fund të sezonit dhe insiston se mendjen e ka vetëm te skuadra nga Suhareka dhe se nuk po mendon për të ardhmen. Kartonin e Dakut e ka në pronësi Osijeku kroat. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme